Basketboll

Basketbolli shqiptar humb ikonën Arben Fagu


Të premten e 5 shkurtit është ndar nga jeta, në moshën 65-vjeçare, legjenda e basketbollit shqiptar, Arben Fagu, pas një sëmundje të rëndë.

Arbeni ishte pinjoll i familjes Fagu. Një familje që ka dhënë historikisht shumë për sportin në Shqipëri. I ati Besim Fagu, themeloi klubin e Partizanit, ndërsa i vëllai Agimi, gjithashtu është një ikonë e basketbollit në Shqipëri.

E filloi karrierën në basketboll, që në moshë të vogël, si pjesë e klubit të Partizanit. Klub të cilin nuk e braktisi kurrë.

Pas tërheqjes nga basketbolli i luajtur, Fagu u bë dhe një trajner i suksesshem, me klubet e Partizanit, Dinamos dhe Universitetit Amerikan të Tiranës. Gjithashtu ka trajnuar ekipin kombëtar të të rinjëve dhe meshkujt të rritur, në periudha të ndryshme kohore.

Si lojtar dhe trajner ka fituar shumë tituj, kampionate e kupa të Shqipërisë.

Profresor Beni ishte shembulli i përkushtimit, vullnetit dhe ambicjes. Cilësi që i trasmetoi te të gjithë ata që e donin këtë sport.

Për largimin nga jeta të Arbenit, kanë reaguar në mediat sociale shumë personazhe nga bota e sportit, politikës etj. Mes tyre dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

” Me ikjen e Ben Fagut është zbrazur mesi i fushës së kujtimeve të kohës kur ai stërviste dhe drejtonte skuadrën tonë nga stoli, ku kishte zënë vendin e legjendarit të Dinamos e të Kombëtares kuqezi të basketbollit, profesorit Feti Borova”

“…Përqafime Ben dhe faleminderit për çka na dhe e dhe gjithmonë pa kursim për sportin e për shokët, duke mos kërkuar kurrë asgjë përveç respektit plotësisht të merituar”, shkruan Rama.

Edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka reaguar mbi largimin nga jeta të Arbenit, duke shprehur ngushëllimet e tij.

“Ndarja e parakohshme nga jeta e Profesor Arben Fagut është një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për sportin shqiptar, veçanërisht për basketbollin, që i përkushtoi të gjitha energjitë e tij”.

“Lojtar virtuoz i Dinamos, Partizanit dhe i Ekipit Kombëtar, i dalluar për shpirtin e garës, forcën e karakterit dhe nivelin e lartë sportiv, Profesor Fagu spikati edhe si trajner i përkushtuar e pasionant, duke merituar vlerësimet dhe duartrokitjet e sportdashësve”.

“Të gjithë ne, të cilët e njohëm nga afër, humbëm një mik të sinqertë, ndërsa sporti një personalitet të pakrahasueshëm”.

“Ngushëllimet më të ndjera për familjen e dashur Fagu, kolegët dhe të gjithë nxënësit e tij. Të prehet në paqen e merituar dhe kujtimi i tij të jetë gjithmonë i paharruar! Lamtumirë Kampion”, shkruan Meta.

Basketbolli shqiptar humbi një ikon, një legjend, që dha shumë për këtë sport. Por që do të mbetet i paharruar në historinë e sportit shqiptar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore