Shqipëria

Bashkia Tiranë ndërmerr masa kufizuese për eliminimin e trafikut në kryeqytet


Bashkia e Tiranës, mëngjesin e 6 janarit ka njoftuar masat e reja kufizuese për sa i përket qarkullimit të mjeteve të tonazhit të rëndë në kryeqytet.

Konkretisht në bazë të një urdhri Bashkia ndalon nga ora 07:00 e mëngjesit deri në orën 20:00 të mbrëmjes qarkullimin e mjeteve të rënda në brendësi të Unazës së Vogël të qytetit.

Kjo masë ka ardhur për të eliminuar trafikun në orët e para të mëngjesit, kur fëmijët shkojnë në shkollë.

Sipas urdhrit, ndalohet edhe qarkullimi i të gjitha mjeteve të transportit të mallrave prej orës 07:00 deri në orën 09:00, si dhe i mjeteve me ngarkesë të përgjithshme mbi 3.5 ton nga ora 09:00 deri në orën 20:00 në Unazën e Mesme të qytetit, në brendësi të saj, si dhe në akset kryesore hyrëse duke përfshirë dhe rrugët “Sulejman Delvina”, “Abdyl Frashëri”, “Ismail Qemali”, “Rruga e Elbasanit” dhe Bulevardi “Bajram Curri”.

Subjektet tregtare do të kryejnë veprimtarinë e tyre furnizuese nga ora 20:00 deri në orën 07:00 të mëngjesit, ndërsa mjetet deri 3.5 ton nga 09:00 deri 20:00, sipas sinjalistikës së vendosur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore