Lajme

Bashkia e Bordeaux e djegur, miliona rrugëve dhe qëndresë ndaj Qeverisë – Protestuesit nuk e lëshojnë kauzën kundër reformës së pensioneve në Francë


Franca pa të enjten e 23 marsit një prej protestave më masive të viteve të fundit në rang kombëtar, ku çështja e rritjes së moshës së pensioneve, çoi në një organizim të përbashkët të sindikatave dhe unioneve të punëtorëve nga të gjitha kategoritë.

Në bazë të shifrave të publikuara nga Ministria e Brendshme franceze, rreth 1.2 milionë francezë iu drejtuan rrugëve në protestë. Shumica e tyre, rreth 120 mijë, vetëm në Paris, ku pati edhe qindra punonjës të policisë të plagosur dhe 80 të arrestuar.

Mirëpo, ishte qyteti i Bordeaux, ai i cili pa më së shumti dëme, ku flaka iu vu edhe godinës së Bashkisë.

Situata ka arritur këtu ku është, për faktin se ishte presidenti Emmanuel Macron, ai i cili e kaloi reformën e pensioneve, përmes një dekreti presidencial, për të shtyrë daljen e punonjësve në pensionim me dy vjet – nga 62 në 64 vjeç.

E gjitha nxiti menjëherë reagim qytetar, ku protesta të tjera kanë paraprirë atë të së enjtes. Mirëpo, kjo e fundit, edhe nga vetë autoritetet franceze, u pa si një kauzave, e cila në rrugë ka nxjerrë më së shumti njerëz.

Në shifrat e pretenduara nga Unioni i punëtorëve, 800 mijë persona u mblodhën në Paris dhe rreth 3 milionë në gjithë Francën.

Në njëfarë mënyre gjithsesi, beteja e ka një fitues, i cili është Macron, pasi ai e kaloi reformën dhe i mbijetoi një mocioni mosbesimi në Parlament, me vetëm nëntë vota.

Mirëpo, protestuesit nuk kanë në mendje të dorëhiqen, duke pretenduar se mënyra të tjera për ta kthyer ligjin ka, ose të paktën, për të korrur një fitore morale, me rrëzimin e Qeverisë.

Po ashtu, shqetësime ka mbi momentumin e krijuar aktualisht, ku segmente radikale brenda unioneve mund të marrin situatën nën kontroll dhe kjo gjë, mund ta humbë krejtësisht vlerën e protestës, duke i larguar qytetarët e thjeshtë prej kauzës dhe duke sjellë shuarjen e demonstratave, si ajo e “Jelekëve të verdhë”, katër vite më parë.

Ajo çfarë do të ndodhë javët e ardhshme nuk është e qartë, por të paktën dihet se protesta e radhës është thirrur të martën e 28 marsit, ditë kjo kur Mbreti Charles III i Britanisë së Madhe, do të vizitojë Francën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore