Pajisje

Bashkëthemeluesi i Apple-it mbështet lëvizjen për të drejtën e riparimit


Steve Wozniak, bashkëthemeluesi i kompanisë teknologjike Apple, ka shprehur një miratim të pasionuar të lëvizjes për të drejtën e riparimit, pavarësisht nga kundërshtimi i kompanisë.

Agjencia e lajmeve, BBC, tregon se lëvizja kërkon që ligjet të miratohen për t’u garantuar përdoruesve akses në informacion dhe pjesë për të riparuar pajisjet e tyre.

“Ne nuk do të kishim një Apple sikur të mos isha rritur në një botë shumë të hapur teknologjike”, është shprehur Wozniak, bashkëthemeluesi i kompanisë në vitet ’70 së bashku me Steve Jobs.

“Është koha të njohim të drejtën për të riparuar më plotësisht”, ka vazhduar ai.

‘Jashtëzakonisht e rrezikshme’

Rregullat ekzistuese të së drejtës për riparim në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë përkatësisht të kufizuara në pajisje dhe automjete.

Dhe avokatët janë të mendimit se Apple-i është një nga kundërshtarët më të ashpër për zgjerimin e legjislacionit për të mbuluar elektronikën e konsumit.

BBC tregon se kompania lejon riparime vetëm nga teknikët e vet të autorizuar dhe zakonisht nuk siguron pjesë këmbimi ose informacione për riparime.

Gjithashtu thuhet se ka angazhuar lobistë për të bindur ligjvënësit që riparimi i pajisjeve mund të jetë jashtëzakonisht i rrezikshëm.

Por Wozniak, mendon se “kompanitë pengojnë të drejtën për të riparuar sepse u jep kompanive fuqi, kontroll, mbi gjithçka”.

“Është koha të fillojmë të bëjmë gjërat e duhura”, ka thënë bashkëthemeluesi i Apple-it.

Wozniak i ka bërë komentet e tij në një përgjigje të pasionuar nëntë minutëshe e gjysmë ndaj një kërkese që i erdhi nga Louis Rossmann në Cameo, një faqe që lejon njerëzit e zakonshëm të paguajnë të famshëm për një mesazh të shkurtër.

“Kur nisa Apple-in, unë kurrë nuk mund të përballoja një makinë shkrimi që merr sinjale nga telefoni për hyrje ose dalje…kushtonin sa dy makina”, ka thënë ai.

BBC shkruan se ai e dinte se si funksiononin televizorët dhe kishte qasje në skema kështu që ai ndërtoi zgjidhjen e tij për ta kthyer televizorin e tij në një monitor kompjuteri të hershëm për Apple I.

“Unë nuk kisha për të përballuar diçka që nuk mund ta përballoja kurrë. Nuk isha i kufizuar nga asgjë që më ndalonte të ndërtoja atë kompjuter dhe t’i tregoja botës se e ardhmja e kompjuterëve personalë do të jetë një tastierë dhe një televizor”, ka treguar Wozniak.

Dhe se “që të gjitha erdhën nga të qenit në gjendje të riparonim gjërat, t’i modifikonim ato dhe t’i prekim ato vetë”.

“Pra, pse t’i ndalosh? Pse të ndalosh komunitetin e vetë-riparimit?”, ka pyetur ai.

Wozniak u largua nga Apple-i në mes të viteve ‘80 por zbuloi në një intervistë të dhënë vitin e kaluar se ai ishte teknikisht një punonjës, duke marrë një pagë javore prej rreth 50 dollarë nga “besnikëria”, pavarësisht se nuk kishte asnjë rol në drejtimin e biznesit.

‘Mendjet krijuese’

Ai ka thënë goxha edhe për vlerën e teknologjisë së hapur për arsimin.

“Ju mund të rregulloni shumë gjëra me kosto të ulët, por është edhe më e çmuar të dini se e keni bërë vetë”, ka thënë Wozniak.

Ai ka folur edhe për “motivimin dhe gëzimin” e të rinjve që mësuan të zhvillojnë pajisje “për t’i provuar vetvetes se kanë një aftësi të vogël të veçantë në botë”, duke shtuar se ishte “shumë motivuese për mendjet krijuese”.

Për sa i përket atij që e kërkoi mendimin e bashkëthemeluesit të Apple-it, Rossman-i, në fillim të këtij viti nisi përpjekjet për të mbledhur gjashtë milionë dollarë për të marrë të drejtën për riparim të miratuar në ligj nga një nismë e votimit të drejtpërdrejtë.

Deri më tani, ai ka mbledhur 750 mijë dollarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore