Shqipëria

Basha: Qeveria ka vepruar si një grup i strukturuar kriminal


Për Lulzim Bashën, qeveria ka vepruar si një grup i strukturuar kriminal në vjedhjen e 430 milionë eurove.

Reagim, i cili, vjen pas lëshimit të një sërë urdhrash arresti lidhur me hetimet e inceneratorëve nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Sipas tij, në krye të këtij grupi është kryeministri Edi Rama.

“Lefter Koka dhe Alqi Bllako janë bishti i kësaj afere. Koka e këtij grupi është Edi Rama, që mbështeti, miratoi dhe mbrojti këtë aferë kriminalo-korruptive, duke sulmuar çdo përfaqësues të PD-së që e denoncoi atë”, ka thënë Basha.

Për Bashën, SPAK-u ka hedhur një hap me rëndësi në zbardhjen e kësaj afere. Duke dërguar para drejtësisë përgjegjësit.

“Sot SPAK hodhi një tjetër hap për t’u përshëndetur në zbardhjen e kësaj afere. E inkurajoj atë t’i shkojë deri në fund dhe të çojë para drejtësisë të gjithë ata që janë përfshirë në këtë aferë”, ka vijuar Basha.

Për të cilët ka thënë se tanimë janë “faktuar edhe nga Komisioni Hetimor, përfshirë ministra, kryebashkiakë socialistë, sekretarin e përgjithshëm të kryeministrit e deri tek Edi Rama”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore