Shqipëria

Basha: Për dy vite PD-ja nuk ishte në krye të detyrës përballë qeverisë së korruptuar


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka pohuar se për dy vite opozita kryesore e vendit nuk ishte “në krye të detyrës përballë qeverisë së korruptuar”

“Për dy vite me radhë, Partia Demokratike nuk ishte aty ku e duan qytetarët, pranë njerëzve dhe halleve të tyre, zëri ynë nuk u dëgjua për të mbrojtur dhe denoncuar paudhësit dhe padrejtësitë në kurriz të qytetarëve”, theksoi fillimisht kryedemokrati.

Ai shtoi se në radhët e selisë blu ka mungesa jo vetëm nga ata të cilët mund të kenë pasur problemet e ditës, por edhe nga dhjetëra e qindra që janë larguar në muajt dhe dy vitet e fundit.

Kjo, për shkak të mungesës “së shpresës, të dëshpërimit që ka pllakosur anembanë vendit”.

Sipas Bashës, një qeverisje e keqe padiskutim që i mërzit njerëzit, por mungesa e opozitës, mungesa e alternativës “nuk është mërzi, është dëshpërim për një vend”.

“Dhe tani dy vite pas një situatë të paprecedentë është koha ta pohojmë se Partia Demokratike për rrethana dhe arsye që nuk kanë të bëjnë me asnjërin prej jush dhe as demokratët e sakrificave kudo ku ndodhen, nuk ishte në krye të detyrës”, shtoi kreu i PD-së.

Kryedemokrati nënvizoi po ashtu se më 29 korrik dhe në kuvendin e 2 shtatorit, demokratët morën vendimet.

“Vendimet për të dalë nga kjo gjendje limontie, për të dalë dhe një herë si një alternativë dhe si një opozitë para shqiptarëve në radhë të parë me vendosmërinë për t’u bërë zëri i tyre, dhe për të përçuar zërin e tyre kudo dhe së dyti me vendimin për të rindërtuar dhe një herë alternativën e një pushteti të drejtë, nga njerëzit dhe për njerëzit”, ravijëzoi ai në përmbyllje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore