Shqipëria

Basha nga Dibra: Shqiptarët e varfëruar, shteti i kapur nga të korruptuarit


“Arsyeja e kësaj mbledhjeje sot nuk është vetëm të shihemi e takohemi, ndonëse jep kënaqësi të dyfishtë. Arsyeja është që, së bashku me dibranët tanë demokratë dhe socialistët e zhgënjyer të shqyrtojmë rrugët e daljes nga kjo gjendje dhe ta nxjerrim Shqipërinë nga humnera”.

Kështu është shprehur kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në takim me qytetarë të Dibrës, të mërkurën e 29 dhjetorit.

“Një në dy familje shqiptare nuk paguajnë dot një vakt. 90% e tyre harxhojnë buxhetin e tyre për nevojat bazë. Fuqia blerëse, më e ulëta. Bashkë me konsumin që bie. Pandemia këto halle i ka bërë më të rënda”, theksoi ai.

Sipas Bashës, shteti është i kapur nga të korruptuarit.

“Standardi i jetës ka rënë kokëposhtë, fuqia blerëse është më e ulëta krahasuar me të ardhurat në të paktën dy dekada. Bashkë me konsumin që bie ditë për ditë, mbyllen qepenat e bizneseve, shkatërrohet tregu i punës, shtohet numri i të papunëve, e bashkë me ta edhe numri i atyre që duan të largohen dhe që largohen nga vendi i tyre”.

Akuza e tij ishte dhe ndaj personave që punojnë pranë kryeministrit.

“Teksa po vija këtu, një e dhënë tjetër dramatike është shpalosur në media. 300 mijë euro për 25 këshilltarë paguan Edi Rama nga taksat që u merr shqiptarëve. Para të mjaftueshme për të futur në skemën e ndihmës ekonomike 500 familje”.

“Para 31 vitesh kishim Byronë Politike”, ravijëzoi ai, “13 njerëz që kishin marrë peng Shqipërinë, ndërsa sot kemi Edi Ramën me gjashtë oligarkë dhe gjashtë kriminelë që kanë marrë peng Shqipërinë”.

Ai u ndal dhe në akuza të tjera të drejtëpërdejta ndaj kryeminsitrit Edi Rama për patronazhistët, inceneratorët dhe zgjedhjet e 25 prillit.

Kryedemokrati, në fjalën e tij, nuk la pa përmendur edhe ish-kryeministrin Sali Berisha.

“Sali Berisha është njeriu që ka bërë shumë për këtë parti, por dhe ka marrë shumë. Ai vendosi interesat e tij personale mbi ato të demokratëve. PD, në këto ditë të vështira, u vendos përballë dy mundësive: të mbetemi peng e një lufte të brendshme nga një person i vetëm, apo të zgjedhim të ardhmen”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore