Shqipëria

Basha: Mbi 300 miliardë euro të aseteve sovrane të Rusisë të vendosen në dispozicion të rindërtimit të Ukrainës


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një intervistë të dhënë për kanalin zyrtar të Këshillit të Evropës ka thënë se mbi 300 miliardë euro të aseteve sovrane të Rusisë  të vendosen në dispozicion të rindërtimit të Ukrainës.

“Është shumë e qartë dhe e drejtpërdrejtë. Agresori të paguaj. Rusia, ka kryer një luftë ilegale agresioni kundër Ukrainës. Ka qenë e përfshirë në krime lufte dhe shkatërrim. Mbi 300 miliardë euro të aseteve sovrane të Rusisë janë të ngrira. Tani është koha që këto fonde të konfiskohen dhe të vendosën në dispozicion të rindërtimit të Ukrainës”, theksoi kryedemokrati.

Ky i fundit theksoi se “Këshilli i Evropës ka ngritur një regjistër për dëmet majin e kaluar”.

“Rezoluta dhe rekomandimi kërkon ngritjen e një Mekanizmi Ndërkombëtar për Kompensime, i cili përbëhet nga dy elementë, një fond ndërkombëtar, ku të gjitha këto asete të ngrira nga disa qeveri do të transferohen, dhe një Komision Ndërkombëtar Kompensimi, i cili në përputhje me normat dhe standardet ndërkombëtare do të paguajë këto kompensime për dëmet në Ukrainë dhe për subjektet fizike dhe juridike, si dhe të hartojë programe për rindërtimin e Ukrainës”.

I pyetur nëse Fondi Ndërkombëtar është një ide e re, Basha tha se “nuk është”.

“Është një praktikë që është përdorur edhe më parë, dhe është një mundësi për qeveritë që të transferojnë këto asete të ngrira nga Rusia në këtë fond, në mënyrë që të menaxhohen me transparencë dhe llogaridhënie nga ky Mekanizëm Ndërkombëtar nën mbikëqyrjen e Këshillit të Evropës, pranë Regjistrit të Dëmeve, që tashmë ekziston”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore