Zgjedhjet në Shqipëri

Basha falënderon NATO-n, “25 prilli masakër elektorale”


Kryetari i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha, mëngjesin e 4 majit, nga selia blu deklaroi se ushtrimi i forcave të ushtrisë të NATO-s, është i paprecedentë.

“I paprecedentë ushtrimi ushtarak i forcave të NATO-s. U uroj mirëseardhjen gjithë forcave të ardhura”.

Basha u bëri thirrje forcave shqiptare që “të ngrenë lart dhe të mbrojnë flamurin e kombit tonë”.

“Falënderoj forcat e NATO-s dhe SHBA-së për marrëdhëniet reciproke dhe ndërveprimin mes vendeve”.

Kryedemokrati e quajti këtë aleancë si një “aleancë politiko-ushtarake dhe jo ushtarako-politike”.

Kujtojmë se ka nisur zyrtarisht stërvitja më e madhe e tre dekadave të fundit, Defender Europe 21, e cila do të zhvillohet në shtatë baza të ndryshme ushtarake në gjithë Shqipërinë.

Do të jenë 28 mijë trupa nga 26 vende aleate, të cilët do të marrin pjesë në këtë stërvitje ushtarake. Për mbi një muaj, do të zhvillohen stërvitjet ushtarake nga forcat e armatosura të vendeve aleate të NATO-s.

Duke refuzuar t’u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve, Basha i quajti zgjedhjet e 25 prillit një masakër elektorale.

“25 prilli masakër elektorale, rezultati i PD-së flet qartë. Viktima nuk është PD-ja, por qytetarët shqiptarë”.

“Kjo betejë do të bëhet në të gjitha frontet, mënyrat dhe mundësitë. Përfundimi do të jetë i qartë, rrëzimi i regjimit”, e mbylli Basha.

Në zgjedhjet parlamentare, PD-ja dhe koalicioni i saj Aleanca për Ndryshim humbën përballë Partisë Socialiste (PS). Kjo e fundit qeveris Shqipërinë që prej vitit 2013.

Në këto zgjedhje, PS-ja me kryetar Edi Ramën, njëkohësisht dhe kryeministër i vendit, fituan mandatin e tretë qeverisës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore