Shqipëria

Basha flet në 33-vjetorin e PD: Askush nuk do të mund ta bëjë pis këtë ngjarje historike, PD është e Shqipërisë


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka mbajtur një fjalë të rastit gjatë një takimi të zhvilluar me rastin e 33-vjetorit të Partisë Demokratike, ku ka theksuar se “askush nuk do të mund ta bëjë pis këtë ngjarje”, referuar paraardhësit të tij në pozitë, Sali Berishës.

“33 vite me pare, në 11 dhjetor 1990, 343 firmëtarë dorëzuan në Ministrinë e Drejtësisë së asaj kohe peticionin për të regjistruar themelimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë”, kujtoi fillimisht Basha, i vendosur në një podium mes anëtarëve të forcës politike të krahut të djathtë.

Ata 343 firmëtarë të parë të themelimit të Partisë Demokratike, në fjalët e tij, pedagogë, studentë intelektualë dhe qytetarë të thjeshtë, nuk përfaqësonin vetëm kurajën e tyre, nuk përfaqësonin vetëm maturinë dhe inteligjencën e tyre; ata përfaqësonin aspiratën e një shoqërie të tërë, aspiratën e të rinjve shqiptare për liri dhe demokraci.

Dhe pikërisht për këtë arsye, 11 dhjetori është një ngjarje kaq domethënëse për demokratët dhe gjithë Shqipërinë, sa që askush nuk mundet ta njollosë, sipas Bashës.

“Askush dhe asnjëherë, nuk do të mund ta fshije sakrificën e themeluesve të saj qe nga Tirana e deri ne skajin me te largët te Shqipërisë.”, përforcoi ai. “Askush dhe asnjëherë, nuk do të mund ta përvetësojë historinë e saj”.

Sepse Partia Demokratike e Shqipërisë, vijon më tej kreu i saj, është partia e shoqërisë së lirë shqiptare, është partia e studentëve të dhjetorit, është partia e ëndrrës së madhe të një kombi të tërë për liri.

Një pyetje madhore gjithsesi, mbetet për t’u shtruar sipas tij: E kujt është PD?

Përgjigjen e jep po Basha: Ne kemi zgjedhur Shqipërinë. PD është e Shqipërisë.

Ai e ka pranuar se në këtë përvjetor, partia nuk është aty ku dëshirohet dhe as nuk i ka të gjithë në krah.

Por, nga ana tjetër pretendoi se po përfundohet një program, i cili ka për synim të çlirojë dhe forcojë ekonominë, të rrisë punësimin, si edhe mirëqenien e qytetarëve.

Këto, sipas Bashës, nuk janë premtime të mëdha, por plane konkrete, të cilat do të bëhen realitet.

Ndër të tjera, ai përmendi edhe mbështetje të madhe për hetimet e SPAK-ut ndaj krimit dhe pushtetarëve të korruptuar, pasi askush nuk mund të jetë mbi ligjin.

Akuzat mbi kryeministrin e vendit, Edi Rama, nuk munguan, duke e fajësuar atë për situatën në të cilin vendi ndodhet, e cila për Bashën është e keqe dhe ku progresi shihet me “hap breshke”.

Pa përmendur, nuk la as zotimet kryesore, mes të cilave listat e hapura, vota e diasporës, vettingu i politikanë, apo zgjedhja e presidentit nga popullit, të cilat janë tashmë edhe kolona kryesore dhe kuaj beteje për retorikën politike të Bashës.

Në mbyllje, nuk harroi as të falënderonte gjithë demokratët, për sakrificat e tyre ndër vite, veçanërisht për kurajën dhe qëndrueshmërinë e themeluesve të Partisë, duke uruar 33-vjetorin e forcës politike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore