Vende

Barriera e Madhe Koralore “duhet të vendoset në listën e trashëgimisë botërore në rrezik”


Barriera e Madhe Koralore në Australi duhet të vendoset në listën e vendeve të trashëgimisë botërore në rrezik.

Ky ka qenë përfundimi i nxjerrë nga një mision i mbështetur nga OKB-ja.

Sipas raportit mbi misionin dhjetëditor që u zhvillua në mars, ndryshimi i klimës po paraqet një “sfidë serioze” për këtë mrekulli globale të shkëmbinjve të gdhendur.

Dhe se përparimi për të reduktuar ndotjen që rrjedh në ujërat e shkëmbinjve nga bujqësia dhe kullotja është shumë i ngadaltë, ndaj nevojiten më shumë investime për të përmbushur objektivat e cilësisë së ujit.

Kështu, raporti rekomandon që të vendoset në listën e vendeve të trashëgimisë botërore “në rrezik”.

Lidhur me misionin, ai u krye me kërkesë të ish-ministrit federal të mjedisit Sussan Ley, pasi qeveria e mëparshme loboi me sukses kundër një rekomandimi të UNESCO-s të vitit 2021 që të vendosej në listë.

Raporti, përpos përfshirjes në listën e vendeve “në rrezik”, ka dhënë edhe dhjetë rekomandime prioritare që duheshin adresuar “me urgjencë maksimale”.

E gjitha sepse zbatimi i tyre mund “të përmirësojë në mënyrë drastike aftësinë për të siguruar dhe avancuar ruajtjen e pronës” dhe për të ruajtur “vlerën e jashtëzakonshme universale” të saj për brezat e ardhshëm.

Ndërkohë, qeveria australiane ka miratuar një objektiv kombëtar për të reduktuar emetimet e gazeve serrë me 43 për qind nga nivelet e vitit 2005 deri në vitin 2030.

Po ashtu për të arritur zero emetime deri në vitin 2050.

Në buxhetin federal të muajit të kaluar, qeveria njoftoi 1.2 miliardë dollarë financim për punën e vazhdueshme për përmirësimin e cilësisë së ujit dhe për përpjekjet për të rritur elasticitetin e koraleve dhe shkëmbinjve nënujorë

Tani, UNESCO do të përgatisë një raport të ri mbi gjendjen e shkëmbinjve që do të shqyrtojë gjetjet e misionit dhe çdo përgjigje nga qeveria shtetërore dhe federale.

Ai raport do t’i bëjë rekomandime formale drejtpërdrejt komitetit të trashëgimisë botërore përpara takimit të riplanifikuar që ka të ngjarë të zhvillohet në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore