Përballje

Bajrami shënon përsëri në barazimin e Empoli-t ndaj Lazio-s, shijon suksesin edhe Verona


Futbollisti i kombëtares së Shqipërisë, Nedim Bajrami, ishte protagonist në barazimin e skuadrës së tij Empoli në udhëtim te Lazio, me rezultat 3:3.

Bajrami zhbllokoi shifrat në këtë takim, duke realizuar gol nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e gjashtë të ndeshjes, i cili mposhti portierin kuqezi të Lazio-s, Thomas Strakoshan.

Nuk vonoi shumë dhe pas dy minutash Empoli befasoi duke dyfishuar shifrat me anë të polakut Szymon Zurkowski.

Por, për të ngushtuar epërsinë në pjesën e parë, mendoi sulmuesi kryesor i kryeqytetasve, Ciro Immobile, i cili realizoi për 1:2 në minutën e 14-të.

Fraksioni i parë i lojës përfundoi me epërsi minimale të miqve, derisa edhe në pjesën e dytë u shfaq një lojë e luftuar.

Milinkovic-Savic barazoi fillimisht rezultatin në minutën e 66-të, por 10 minuta më vonë Federico Di Francesco riktheu epërsinë e Empol-it.

Minutat në vazhdim, loja ishte një dramë, ku lacianëve iu anulua një gol nga VAR-i, pastaj humbën një penallti, por në fund arritën gjithsesi të barazonin rezultatin me serbin Milinkovic-Savic.

Me këtë barazim, Lazio mbetet në pozitën e tetë në tabelë me 32 pikë, katër më pak se Empoli i vendit të dytë.

Në ndeshjen tjetër, Verona mori një fitore shumë të rëndësishme në udhëtim, duke mposhtur Spezia-n me rezultat 1:2.

Pjesa e parë e këtij takimi nuk prodhoi gola, derisa në të dytën mysafirët arritën të shënojnë dy herë, kurse vendasit realizuan një gol.

Ishte Gianluca Caprari, ai i cili realizoi dy gola në minutat 59 dhe 70, derisa për vendasit arriti të shënonte Martin Erlic në minutën e 85-të të sfidës.

Me këtë fitore, Verona mban vendin e 11-të me 27 pikë, ndërsa Spezia pozicionohet e 17-ta me 16 pikë të grumbulluara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore