Shije

Bari ndryshe i Hong Kong-ut


Penicilin-a duket si çdo bar tjetër. Një ambient që merr jetë nga tingujt e muzikës jazz e që shoqërohet me ndriçimin e ulët dhe stolat prej kadifeje. Por edhe nga tavolinat që mirëpresin mysafirët e barit me kokteje dhe patate të skuqura e të kripura.

Megjithëse, të kap syri edhe detaje jo aq konvencionale. Si për shembull hyrja e bardhë, e veshur me pllaka, ku baristët e saj eksperimentojnë me aroma të reja. Ndërsa në pjesën e pasme gjendet një “dhomë fermentimi”, e cila strehon kavanoza shtëpie.

Agjencia e lajmeve, CNN, tregon se e gjitha kjo është pjesë e një koncepti më të gjerë – nga pijet deri te mobiljet, të krijuara për të zvogëluar mbetjet dhe për të minimizuar emetimet e karbonit.

“Ajo që bëjmë këtu është pak më ndryshe nga baret dhe restorantet e tjera në Hong Kong”, ka thënë Agung Prabowo, i cili bashkëthemeloi lokalin në nëntor të vitit 2020 me partnerin e tij të biznesit për një kohë të gjatë dhe baristin Roman Ghale. Ku nuk mungojnë as gratë e tyre, përkatësisht, Laura Prabowo dhe Katy Ghale.

Dhe pa mbushur ende gjashtë muaj në punë, lokali debutoi në vendin e 30 në listën e 50 “Bareve më të Mira të Azisë 2021” dhe fitoi “Çmimin e Barit të Qëndrueshëm”.

Duke e përshkruar veten si “bar anti-mbetje” i Hong Kong-ut, Penicilina po punon drejt synimit për zero mbetje dhe shpreson të frymëzojë vendet e tjera për të bërë të njëjtën gjë.

Një kulturë rehatie

CNN zbulon se Hong Kong-u nuk është vendi më i lehtë për të filluar një biznes të gjelbër; ka një kulturë rehatie që po krijon një krizë të qëndrueshmërisë.

Vetëm 29 për qind e mbeturinave të Hong Kong-ut u ricikluan në vitin 2019. Madje, ka prirje në rënie.

Nga ana tjetër, ekipi i Penicillin-ës, kërkon vazhdimisht mënyra të reja për të ripërdorur, ricikluar dhe minimizuar mbeturinat.

Limonët, për shembull, shtrydhen për lëngjet e tyre, ndërsa tuli, farat dhe lëkura e mbetur ndahen për t’u zier në “verë” të gazuar me limon në dhomën e fermentimit. Ose lihen të thara për garniturat e koktejeve, ka treguar Agung.

“Ne duhet të mendojmë dy herë para se të vendosim ndonjë gjë në koshin e plehrave”, ka thënë ai. “Ju mund të mblidhni gjëra për përbërësin tjetër, në vend që ta blini atë të ri”.

Kjo nuk ka të bëjë vetëm me pijet. Qëndrueshmëria është hedhur në themelet e barit me mobilje dhe pajisje të bëra në vend nga materiale të ricikluara.

Që nga kanaçet e sodës prej alumini të ricikluar e deri te dritat LED në mur dhe uniformat e pambukta të bëra me porosi, thuajse çdo detaj është i shqyrtuar me hollësi.

“Në të vërtetë, ka mënyra argëtuese për të gjetur qëndrueshmërinë”, ka thënë Agung.

Një zgjidhje eko-shpirtërore

CNN tregon se Penicilin-a nuk është biznesi i vetëm që punon për pastrimin e industrisë së pijeve. Baret dhe restorantet në të gjithë botën po përpiqen të riciklojnë dhe të zvogëlojnë mbetjet. Por shumë nga elementët më të paqëndrueshëm të industrisë janë në prodhimin dhe transportimin e alkoolit.

Kjo është ajo çka startup-i i Singaporit, EcoSPIRITS, pa si hendek në treg. Sistemi i tij mundëson që baret të rimbushin shishet e tyre dhe sapo ngarkesa të zbrazet, ajo merret kur mbërrin rendi i ri.

Kjo eliminon nevojën për krijimin e shisheve të reja të qelqit me intensitet të karbonit, ka treguar themeluesi i EcoSPIRITS, Paul Gabie.

“Ju jo vetëm që po ulni kostot për zinxhirin e furnizimit, por edhe vendet po marrin të njëjtën frymë me një kosto më të ulët”, ka thënë Gabie. “Ju keni këtë zvogëlim shumë të fuqishëm, të matshëm në mbetjet fizike dhe gjurmët e karbonit dhe këto janë propozime të lehta për industrinë”.

CNN shkruan se EcoSPIRITS pretendon që procesi i tij mund të kursejë 90 për qind të gjurmës së karbonit në paketim dhe shpërndarje, çka ndihmon edhe vijën fundore.

Dhe Penicilin-a është një nga afro 700 baret në rajon që punojnë me EcoSPIRITS, duke i ndihmuar ata të kursejnë 150 gram emetime karboni për koktej.

Një nga pijet e barit e quajtur “Një penicilinë, një pemë”, i kthen mjedisit një pemë të mbjellë në Borneo për secilin koktej të blerë.

Një përpjekje e komunitetit

Edhe pse disa biznese hezitojnë të miratojnë zgjidhje të qëndrueshme për shkak të shpenzimeve të perceptuara, Roman tregon se ka më shumë potencial për kursime afatgjata.

“Njerëzit flasin gjithmonë për qëndrueshmërinë që kushton shumë, por në të vërtetë nuk është kështu”, ka thënë ai. “Megjithatë është çështje kohe, duhet të keni shumë vetë-disiplinë”.

Sipas CNN, tanimë Penicilin-a po përpiqet të përfshijë komunitetin në zgjidhjet e qëndrueshme përmes bashkëpunimeve me bizneset lokale.

Kjo përfshin mbledhjen e guaskave të midhjeve nga një restorant lokal i prodhimeve të detit për t’i rivendosur për zbukurim te gotat me uiski dhe ripërdorimin e bërthamave të avokados nga një restorant meksikan si kube akulli.

Madje, po bëjnë sapunë dhe dezinfektues dore me mbetje alkooli dhe lëvore limoni.

Ndër të tjera, ekipi shpreson që të tjerët në industrinë e ushqimit dhe pijeve në Hong Kong të frymëzohen për të bërë ndryshime pozitive, të qëndrueshme.

“Ne duam të bëjmë diçka për natyrën që nuk është në lidhje me veten tonë, diçka për fëmijët tanë, një hap përpara”, ka thënë Roman. “Kjo është arsyeja pse ne duam t’i bëjmë këto gjëra të qëndrueshme”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore