Përballje

Barcelona deklason Athletic Bilbao-n


Barcelona ka shënuar fitore të thellë me rezultat 4:0 ndaj Athetic Bilbao-s, në ndeshjen e javës së 11-të në La Liga.

Ousmane Dembele ishte heroi i ndeshjes, duke shënuar një gol dhe duke asistuar në tre të tjerë.

Sfidën e zhbllokoi pikërisht ai, kur në minutën e 12-të shënoi me kokë, pas asistimit të Robert Lewandowski-t.

Gjashtë minuta më vonë, francezi asistoi për Sergi Roberto-n, i cili dyfishoi epërsinë për vendasit.

Ndërsa në minutën e 22-të, Dembele asistoi për Lewandowski-n, i cili shënoi për 3:0.

Pjesa e parë përfundoi me epërsi të trefishtë të Barcelonës, derisa në fraksionin e dytë ata u mjaftuan me vetëm edhe një gol të shënuar.

Këtë radhë ishte zëvendësuesi, Ferran Torres, i cili u asistua përsëri nga Dembele.

Me këtë fitore, Barcelona vazhdon të mbetet në vendin e dytë me 28 pikë, tre më pak se Real Madrid-i kryesues.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore