Skuadra e Barcelonës thuhet se ka arritur marrëveshje personale me futbollistin brazilian të skuadrës së Leeds United, Raphinha -n.
Sipas asaj që shkruan “Mundo Deportivo”, Raphinha dhe Barcelona kanë rënë dakord me kushtet e kontratës, andaj pritet që gjatë afatit kalimtar të verës të negociohet për afrimin e tij në Spanjë.
Gjithnjë sipas mediumit spanjoll, drejtuesit e klubit të Barçës i kanë ofruar një kontratë pesë-vjeçare brazilianit me një pagë që nuk është bërë e ditur, por problem mbetet marrëveshja me klubin e Leeds.
Drejtuesit e klubit anglez thuhet se kanë kërkuar të paktën 40 milionë euro për ta liruar futbollistin 24 vjeçar.
Raphinha ka kontratë me skuadrën angleze deri në vitin 2024, mirëpo qëndrimi i Leeds në elitën e futbollit anglez, apo jo, do të thotë shumë për të ardhmen e futbollistit.
Leeds aktualisht pozicionohet në vendin e 16-të në Premier Leauge (dy vende mbi zonën e rënies) me 29 pikë të grumbulluara gjatë 30 ndeshjeve.
Kujtojmë që Raphinha u transferua në Angli nga skuadra e Sporting Lisbonës, për një shumë prej 18.6 milionë euro në verën e vitit 2020.
Ai ka qenë ndër futbollistët kryesorë te skuadra angleze, ku në 59 paraqitje në të gjitha garat, ka shënuar 15 gola dhe ka dhuruar 12 asistime.