Lajme

Barbano takon kryesuesin e KPK-së, vlerëson bashkëpunimin ndërmjet EULEX-it dhe prokurorive të ndryshme në Kosovë  


Giovanni Pietro Barbano dhe Jetish Maloku

Një ditë pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se nuk do të dekretojë, Blerim Isufajn si kryeprokuror të ardhshëm të shtetit si dhe sulmoi Prokurorinë e Shtetit për mos-efikasitet, shefi i misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX, Giovanni Pietro Barbano, ka takuar kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Malokun, me të cilin, sipas tij, ka pasur një diskutim thelbësor.

Në një postim në platformën sociale, X, Barbano, ka thënë se e vlerëson bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet EULEX-it dhe prokurorive të ndryshme.

“Ritheksova mbështetjen tonë për një sistem prokurorial plotësisht të pavarur, pa presion/ndërhyrje politike”, ka shkruar Barbano.

Barbano ndër të tjera është shprehur i thellësisht i shqetësuar për faktin se prokuroria e Kosovës ende nuk e ka një Kryeprokuror të Shtetit.

Ndryshe, të mërkurën shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomasz Szunyog, ka lënë të nënkuptohet se është në linjë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për sa i përket emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit.

Përmes një postimi në platformën sociale, X, diplomati çek, ka theksuar nevojën që procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit të jetë transparente dhe mbi të gjitha i bazuar në meritokraci e drejtësi.

“I bëj thirrje autoriteteve të Kosovës që të ruajnë me vendosmëri parimet dhe standardet më të larta të sundimit të ligjit në zgjedhjen e vonuar të Kryeprokurorit të Shtetit”.

Një vit e gjysmë pasi Këshilli Prokurorial e zgjodhi Blerim Isufajn për kryeprokuror të ardhshëm të shtetit, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka njoftuar se nuk do ta dekretojë këtë emër.

Në një konferencë për media të martën, Osmani ka thënë se ka pasur “10 shkelje në procedurën e përzgjedhjes” dhe se “është e obliguar, duke pasur parasysh shkeljet, të mos e bëjë dekretimin” e Isufajt për kryeprokuror.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore