Kosova

Barbano flet “sinqerisht” me Maqedoncin për sfidat e sigurisë


Ejup Maqedonci dhe Giovanni Pietro Barbano

Shefi i EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano, pas takimit me Ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se gjatë bisedës me të ka pasur rastin që “sinqerisht të shqyrtoj sfidat aktuale të sigurisë”.

Përmes një postimi në platformën X, Barbano ka shkruar se në takim me Ministrin Maqedonci ka theksuar “përkushtimin e EULEX-it, si reaguesi i dytë i sigurisë së Kosovës, për të mbështetur stabilitetin, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in”.

Edhe Maqedonci pas takimit me Barbanon ka thënë se kanë diskutuar rreth situatës së sigurisë në Kosovë, me theks të veçantë në Veri të vendit.

Përmes një postimi në Facebook, Maqedonci ka thënë se sulmi terrorist i 24 shtatorit ka ngjallur shqetësim tek të gjithë, “mirëpo është menaxhuar në mënyrën jashtëzakonisht profesionale nga ana e Policisë së Kosovës, dhe për këtë ishim që të dy dakord”.

“Shefin e EULEX-it e falënderova për mbështetjen ofruar Policisë së Kosovës gjatë kësaj kohe përmes prezencës së EULEX-it në Veri, gjë që sigurisht ka kontribuar në stabilizimin e situatës”, ka shtuar ai.

Foto: Ejup Maqedonci

Në këtë takim Ministri i Mbrojtjes ka theksuar se me kujdes të shtuar dhe në koordinim të vazhdueshëm me Policinë e Kosovës dhe KFOR-it “jemi duke monitoruar situatën që ngjarje të tilla të mos përsëriten më”.

Në fund, Maqedonci ka theksuar se me shefin e EULEX-it janë dakorduar që kanë interesa të përbashkëta për të garantuar siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore