Shqipëria

Banorët e Bërxullës në protestë: Pa dakordësinë tonë, rruga nuk do të zhvillohet


Banorët e Bërxullës kanë protestuar sërish kundër prishjes së pronave të tyre të dielën e 5 marsit.

Ata kanë bllokuar sërish një aks rrugor gjatë protestës së tyre dhe përtej thirrjeve për të pasur një proces të drejtë shpronësimi.

Kjo, lidhur me ndërtimin e segmentit rrugor Thumanë-Kashar, i cili kërkon edhe prishjen e banesave të tyre, duke qenë se kalon në atë zonë.

Banorët kanë hedhur po ashtu një numër akuzash ndaj Qeverisë dhe ministrave.

“Ministrat janë vetëm kukulla, çdo gjë bëhet nga Edi Rama. Këta bëjnë dallavere, nuk duan t’ia dinë për popullin. Nuk ka marrëveshje kështu. Do të bllokojmë dhe aksin tjetër të rrugës. Vijnë vetëm kur janë zgjedhjet. Në këtë fshat nuk ka as ujë, as drita. Nëse nuk na dëgjojnë, as ne nuk do i dëgjojmë dot. Ne nuk i kemi vjedhur. Nuk pyesim më për shtetin, shtet jemi vetë”, deklaroi njëri prej banorëve për mediat e pranishme.

Një tjetër banor theksoi se prona është e shenjtë dhe rruga nuk ka leje ndërtimi.

“Firma nuk ka bërë aplikim për tu futur në pronë. Pa dakordësinë tonë, rruga nuk do të zhvillohet”, shtoi ai.

Protesta e tyre, kryesisht lidhet me vlerësimin e pronës së tyre, e cila është sipas banorëve, poshtë vlerës së tregut.

“Ne nuk kemi gjetur asnjë zgjidhje deri më sot. Asnjë përgjigje nga institucionet shqiptare sa do të jetë e aksesueshme pjesa tjetër e pronës”, tha një prej banorëve në protestë, duke ngritur pikëpyetje mbi çfarë po kërkohet të bëhet me aksin. “Nuk ka asnjë lloj shkrese dhe negociate, pavarësisht se thuhet kështu. Nuk ka ardhur askush. Prandaj unë dal në protestë, sepse dua të di sa është dëmshpërblimi im”.

Një muaj më parë, ata kanë zhvilluar po ashtu një tubim demonstrativ edhe përpara godinës së Kryeministrisë.

Me pankarta në duar, ata kërkonin devijimin e projektit, në mënyrë që ata të mos prekeshin, ose të merrnin shpronësim me vlerën e tregut.

Koncesioni për projektin është miratuar më 26 maj të vitit të kaluar dhe është paraqitur edhe nga vetë ministrja për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku.

Ajo theksoi asokohe se aksi do të investohet në parimin e koncesionit që do të investojë dhe operojë e transferojë pas 35 vitesh në pronësi të shtetit shqiptar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore