Biznes

Bankman-Fried akuzohet për mashtrim të investitorëve


Ish-shefi ekzekutiv i FTX-it, Sam Bankman-Fried, është akuzuar për mashtrim, konspiracion për të kryer pastrim parash dhe komplot për të mashtruar SHBA-të dhe për shkelje të ligjeve të financimit të fushatës.

Në total janë tetë kallëzime penale kundër tij.

Ato janë paraqitur nga zyra e prokurorit amerikan për rrethin jugor të New York-ut dhe pasojnë akuzat civile të ngritura nga Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbime të SHBA-ve.

Këto të fundit e akuzojnë ish-miliarderin 30-vjeçar për mashtrim të investitorëve në kompani.

Policia e Bahamas-it, e arrestoi Bankman-Fried të hënën pasi mori një njoftim zyrtar nga SHBA-të për akuzat penale kundër tij.

Ndër akuzat e tjera, ai akuzohet se ka përdorur depozitat e klientëve të FTX-it për të paguar borxhet dhe shpenzimet ndaj Alameda Research, fondin e tij mbrojtës.

Po ashtu aktakuza pretendon se Bankman-Fried dhe të tjerët komplotuan për të shkelur rregullat federale mbi donacionet politike.

Ai ishte një nga donatorët më të mëdhenj të demokratëve, por ka thënë se u ka dhënë edhe republikanëve, duke i fshehur donacionet.

Pasuria e tij vlerësohej në 26 miliardë dollarë përpara rënies së kompanisë. Ai dhe FTX ishin donatorë bujarë për grupe mediatike, bamirësi dhe politikanë, duke dhënë të paktën 95 mijë dollarë për politikanë që tani hetojnë kolapsin e FTX-it.

Sakaq, shefi i ri John Ray III ka thënë se “nuk kishte parë kurrë një mungesë kaq të plotë të mbajtjes së të dhënave” në një kompani.

Nuk kishte “absolutisht asnjë kontroll të brendshëm”, ka vijuar Ray, i cili ka 40 vjet përvojë në mbikëqyrjen e disa prej falimentimeve më të mëdha në botë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore