Kosova

Banka Qendrore e Kosovës mbi 15 muaj pa bord


Banka Qendrore e Kosovës

Që nga qershori i vitit 2020 Banka Qendrore e Kosovës është pa bord.

Në mënyrë urgjente zgjedhjen e tyre e ka rekomanduar edhe Komisioni Evropian në Raportin e Progresit të publikuar më 19 tetor.

Në Kuvendin e Kosovës nga BQK-ja janë dërguar emrat për zgjedhjen e anëtareve të rinj, por deri tani Qeveria nuk ka marrë vendim.

Por, përveç mungesës së Bordit, BQK-ja është duke funksionuar edhe pa buxhet të miratuar, pasi ky proces është kompetencë e bordit. Ndërkaq, aktualisht BQK-ja është duke shfrytëzuar buxhetin e vitit paraprak.

Profesori i ekonomisë, Safet Gërxhaliu thotë për Albanian Post se mungesa e bordit të BQK-së është shumë shqetësuese.

“Me të thënë të drejtën ka kohë që e kemi alarmuar situatën në mungesë të bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, dhe duke pasur parasysh faktin se Kosova po kalon në një pandemi, në një pandemi politike dhe duke pasur parasysh faktin e raporteve në Veri besoj që roli i Bankës Qendrore është i pakontestuar”.

“Qoftë në aspektin ekonomik, qoftë në aspektin social në shumë aspekte promovuese integruese por mbi të gjitha në aspektin e sigurisë kombëtare”, deklaron Gërxhaliu.

Por, thekson se ashtu si BQK-ja janë edhe shumë institucione të tjera në Kosovë.

“Të njëjtën gjë e kemi edhe në ndërmarrjet tjera publike, të cilat po mbesin peng i këtyre proceseve, por besoj që prioritet në aspektin kohor afatshkurt për institucionet aktuale do të jetë kompletimi i këtyre bordeve”.

“Qoftë në Telekom, qoftë në Postë, në Trepçë, Ibër Lepenc, kemi zakonisht ushtrues detyre të udhëheqjes së bordeve, të cilat borde janë të përkohshme dhe kjo është një qasje e cila do të godasë seriozitetin e punëve dhe performancën e këtyre ndërmarrjeve”.

Banka Qendrore e Kosovës

Nga Banka Qendrore e Kosovës, në një përgjigje për Albanian Post kanë bërë të ditur se në rast se nuk kompletohet bordi, nga janari i vitit të ardhshëm nuk do të kenë mundësi të paguajnë punëtorët.

“Mos kompletimi i Bordit të BQK-së, pamundëson aprovimin e rregulloreve të reja dhe ndryshimin/plotësimin e atyre ekzistuese, si dhe pengon përafrimin e vazhdueshëm të kornizës rregullative të BQK-së me aktet rregullative të BE-së, parimeve bazë për mbikëqyrje efektive, dhe dokumenteve të Komitetit të Bazelit”.

Anëtari i bordit të BQK si dhe deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Mergim Lushtaku në një përgjigje me shkrim për Albanian Post ka deklaruar se mungesa e bordi po e rrezikon stabilitetin financiar.

“Rreziku ligjor si rezultat i mos miratimit të buxhetit në mungesë të Bordit do të paraqes vështirësi serioze në mirëmbajtjen dhe funksionimin efikas të sistemeve si: tregu i letrave me vlerë, regjistri kreditor, SËIFT dhe sisteme tjera të brendshme”, thotë Lushtaku.

Ai gjithashtu shton se, “do të ketë vështirësi në mbajtjen efikase të sistemit të pagesave, si për pagesat e brendshme edhe ato ndërkombëtare (pagesat, tërheqjet, pagesat e importit, pagesat e eksportit, pagat, remitencat dhe investimet e huaja direkte etj) me një fjalë, kolaps financiar dhe ekonomik”.

Ky problem thekson ai që ka shfaqur edhe probleme të tjera.

“Mungesa e Bordit të BQK-së, po ashtu ka pamundësuar edhe kompletimin e Bordit Ekzekutiv dhe Komitetit të Auditimit, nxjerrjen e rregulloreve dhe ndjekjen e procesit të harmonizimit të legjislacionit me atë të BE-së”.

Si urgjent përzgjedhjen e bordit të ri të BQK-së, po e konsiderojnë edhe anëtarët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

Eman Rrahmani, deputet i partisë LVV, në një prononcim për Albanian Post potencoi se është shumë i nevojshëm krijimi i një bordi të tillë.

“Është shumë e nevojshme me u formu bordi i Bankës Qendrore pasi është një periudhë shumë e gjatë që është pa bord, kanë filluar edhe disa iniciativa që duhet të shihen për ka ana e rregullsisë edhe për ka ana e ligjshmërisë”.

Ndërsa, Rrahmani sqaron se mënyra se si përzgjidhen këta anëtar është e rregulluar me ligj.

“Duhet të shikohen edhe personat të cilët propozohen për këtë bord në Kuvend, mënyrat se si ata do të përcaktohen është e sqaruar edhe me rregullore e po ashtu me ligj”.

Më 13 prill të këtij viti BQK-ja dërgoi në kuvend emrat për anëtarë të Bordit, por deri më tani nuk ka ndodhur asgjë.

Bordi i BQK-së përbëhet prej pesë anëtarëve, mirëpo aktualisht janë vetëm dy anëtarë: guvernatori i BQK-së dhe kryetari i Bordit, të cilit i ka skaduar mandati.

Do të thotë, në Bordin e BQK-së janë tri pozita të lira, për plotësimin e të cilave BQK-ja ka dërguar në Kuvendin e Kosovës listën e kandidatëve për përzgjedhje, të cilët pritet të procedohen për votim nga Kuvendi i Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore