Shqipëria

Banka Botërore parashikon rritje të ulët ekonomike për Shqipërinë në vitin 2023


Banka Botërore parashikon një rritje të ulët ekonomike të Shqipërisë për vitin 2023.

Lajmi u bë i ditur nga raporti i fundit i publikuar nga institucioni financiar ndërkombëtar.

“Në kontekstin e shtrëngimit të kushteve të financimit në tregjet ndërkombëtare, ngadalësimit të pritshëm të rritjes ekonomike në Evropë dhe ndërprerjes së masave mbështetëse të politikës të lidhura me rindërtimin pas tërmetit, rritja ekonomike e Shqipërisë për vitin 2023 pritet të mbetet e ulët”, shkruhet në raport.

Sipas Bankës Botërore, perspektivat e rritjes ekonomike së Shqipërisë varen nga tre aspekte: rimëkëmbja ekonomike globale, ritmi i zbatimit të agjendës së reformave dhe planeve të konsolidimit fiskal.

Eksportet, konsumi dhe investimet reale pritet të rriten me ritme më të ngadalta se ato në periudhën para pandemisë, shton BB-ja.

Inflacioni parshikohet që të fillojë të ulet gradualisht në vitin 2023 dhe të kthehet në objektivin 3 për qind të BSH-së në mesin e vitit 2024.

Megjithatë, tensionet e zgjatura gjeopolitike mund të rrisin më tej inflacionin, të krijojnë probleme në zinxhirët e furnizimit dhe shqetësime në tregjet financiare, sqaron institucioni financiar ndërkombëtar.

“Në përgjigje të rritjes së presioneve të brendshme inflacioniste dhe rritjes së pritjeve inflacioniste, në kuadër të normalizimit të politikës monetare në vendet e zhvilluara, banka qendrore pritet të shtrëngojë më tej politikën e saj monetare. Të gjitha këto mund të zbehin akoma më shumë perspektivat e rritjes ekonomike të Shqipërisë”, vëren BB-ja.

Konsolidimi fiskal do të bazohet kryesisht në anën e shpenzimeve. Qeveria parashikon që të vijojë të kufizojë rritjen e pagave në sektorin publik, shpenzimet për mallra dhe shërbime, si dhe transfertat aktuale për qeveritë lokale dhe NSH-të.

Për sa i përket llogarisë së jashtme, eksportet e shërbimeve, përfshirë turizmin dhe operacionet e proceseve të biznesit në zgjerim të shpejtë, pritet të mbeten të forta.

Deficiti tregtar parashikohet të rritet në 12.8 për qind të PBB-së në vitin 2023 krahasuar me 10.4 për qind në vitin 2022 dhe të qëndrojë në këto nivele në periudhë afat mesme.

Për Bankën Botërore, flukset hyrëse të IHD-ve, përfshirë në turizëm, energji dhe industrinë përpunuese, parashikohet të financojnë pjesën më të madhe të deficitit të llogarisë korente gjatë periudhës së parashikuar.

Gjatë vitit 2022, ekonomia e Shqipërisë vijoi rimëkëmbjen e fortë, pavarësisht rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe energjisë, shkruhet në raportin e BB-së.

Inflacioni i lartë i ushqimeve dhe energjisë ka nxitur ofrimin e mbështetjes shtesë nga qeveria për familjet dhe bizneset. Pritshmëritë e larta inflacioniste kanë nxitur shtrëngim më të shpejtë të politikës monetare, thekson më tej Banka Botërore.

Në anën e ofertës, tregtia dhe ndërtimi ishin sektorët që udhëhoqën rritjen ekonomike në vitin 2022.

Megjithatë, pushtimi i Ukrainës nga Rusia krijoi probleme në ritmet e rritjes ekonomike pasi goditjet e ofertës u reflektuan në presione të shtuara mbi kostot dhe rritje të pasigurisë, veçanërisht në sektorë të tillë is bujqësia dhe prodhimi.

Ulja e prodhimit të energjisë elektrike nga hidrocentralet, e shkaktuar nga kushtet e pafavorshme atmosferike, rriti nevojën për importe të energjisë dhe kontribuoi negativisht në rritjen ekonomike.

Ndërkohë, sektori i shërbimeve u ndikua më pak dhe vijoi zgjerimin duke u rritur me 5.9 për qind në vitin 2022, si rezultat i kërkesës së fortë konsumatore dhe një sezoni të jashtëzakonshëm turistik. Në vitin 2022, numri i turistëve u rrit me 27.5 për qind dhe numri i netë qëndrimeve me 20 për qind.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore