Shqipëria

Balluku: Më 29 nëntor hapet “Rruga e Arbërit”


Dy ditë përpara hapjes së “Rrugës së Arbërit”, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka parë nga afër përfundimin e punimeve të këtij projekti.

“Ky segment do të hapet më 29 nëntor në formën e kantierit – 80% e kalueshme – më pas punimet do të mbyllen në qershor të vitit 2022”, bëri me dije Ministrja.

Së bashku me Ballukun për inspektim ishte edhe drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ervis Berberi.

“Po punohet për detajet e fundit në prag të hapjes për qarkullimin e automjeteve të këtij aksi, i cili afron verilindjen e vendit me kryeqytetin”, bëri me dije Balluku në fjalën e saj.

Ministrja theksoi se i gjithë ky projekt përbëhet nga gjashtë tunele. Deri më tani kanë përfunduar punimet për pesë tunele.

Kjo rrugë do të lidhet me Bypass-in e Klosit prej 8.8. km.

Në përfundim ajo iu bërë apel drejtuesve të mjeteve që të tregojnë kujdes në këtë segment, i cili nuk ka përfunduar ende punimet.

“Kur të ketë reshje dëbore do të mbyllet rruga – maksimumi pesë ditë në vit -dhe do të përdoret rruga e vjetër”, e mbylli Balluku fjalën e saj.

Festat Kombëtare të 28-29 Nëntorit këtë vit do të shënojnë me hapjen e dy prej projekteve “më të mëdha” të qeverisë “Rama 3”.

Më 28 Nëntor do të hapet kantieri i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.

Rruga e Arbërit – ‘ëndrra 100-vjeçare e dibranëve’

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nga foltorja e Kuvendit më 28 tetor, ishte i pari që bëri me dije se “Rruga e Arbërit” do të hapej më 29 nëntor.

“Edhe pak durim dhe ëndrra 100-vjeçare e dibranëve do të jetë realitet i prekshëm nga të gjithë”, ka qenë motoja e kryeministrit.

Për këtë vepër shumë komplekse u desh të hapeshin fillimisht tuneli tre dhe katër, që pastaj të ngriheshin themelet e saj.

Në këtë aks ndodhet edhe ura më e lartë në Shqipëri (157 m) dhe një nga më të lartat në rajon.

“Rruga e Arbërit” do të lidhë Tiranën me Dibrën me një gjatësi prej rreth 75 kilometra.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore