Përballje

Ballkani shënon fitore të madhe, një hap drejt arritjes historike


Kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani, ka bërë një hap drejt arritjes historike për t’u kualifikuar në grupet e Ligës së Konferencës.

Ekipi nga Suhareka ka shënuar fitore të madhe në udhëtim te kampioni i Maqedonisë së Veriut, Shkupi, me rezultat 1:2, në ndeshjen e parë të fazës “Play-Off” në Conference Leauge.

Ndeshjen më mirë e nisi ekipi shqiptar nga Maqedonia, të cilët kaluan në epërsi në që në minutën e 19-të me golin e shënuar nga nigeriani, Sunday Adetunji.

Megjithatë, kundërpërgjigjja e Ballkanit erdhi shumë shpejtë, kur Albion Rrahmani barazoi shifrat katër minuta më vonë pas asistimit të marrë nga Armend Thaçi.

Ballkani kërkoi penallti në minutën e 37-të, kur Rrahmani u rrëzua në zonë pas një dueli me Blerton Shejin, por gjyqtari nuk reagoi fare.

Pjesa e parë përfundoi me rezultat të barabartë, teksa e fillimi i së dytës ishte disi më i qetë.

Por, në minutën e 67-të ishte momenti më i mirë i ndeshjes. Meriton Korenica realizoi një super-gol nga distanca për ta kaluar Ballkanin në epërsi.

Në vazhdim të lojës, Shkupi ishte për një nuancë më e mirë, madje barazuan rezultatin në minutën e 81-të, por goli u anulua për një pozicion jashtë loje.

Deri në fund, Ballkani arriti të mbahej, kështu duke siguruar një fitore të madhe para ndeshjes së kthimit që do të zhvillohet në “Fadil Vokrri” pas një jave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore