Lajme

Ballkani Perëndimor i përket BE-së, thotë Kovaçevski


Dimitar Kovaçevski dhe Albin Kurti

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të dielën, në prag të takimit të liderëve rajonalë në kryeqytetin maqedonas, deklaroi se Ballkani Perëndimor i përket Bashkimin Evropian (BE), derisa i bëri jehonë thirrjes për unitet dhe stabilitet.

“Vendi i të gjitha shteteve të rajonit është në BE dhe ne kemi potencialin dhe lidershipin e nevojshëm për të marrë vendime të guximshme për një të ardhme më të mirë. Të gjithë ne – në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë, kemi nevojë për unitet dhe stabilitet”, shkroi Kovaçevski, një ditë para takimit.

Liderët e Ballkanit Perëndimor do të mblidhen të hënën (21 janar) në kryeqytetin maqedonas për të diskutuar mbi të ardhmen e politikës së zgjerimit të BE-së dhe planin e rritjes prej 6 miliardë euro për vendet e rajonit – një paketë madhore e asistencës financiare për periudhën 2024-2027.

Kovaçevski do të jetë nikoqir i takimit që pritet të nisë në orën 09:50 në Shkup, ndërsa përveç kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, do të marrin pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndërsa prezent do jetë edhe James O’Brien, Ndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Eurazinë.

Gjashtë vendet e rajonit – Shqipëria, Kosova, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – synojnë të anëtarësohen në BE dhe janë në faza të ndryshme të arritjes së këtij qëllimi, ndërsa plani i rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor përfshin investime prej 6 miliardë euro dhe akses në tregun e brendshëm të bllokut evropian në fusha të caktuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore