Shqipëria

Ballkani Perëndimor, burimi i drogave sintetike


Një raport, i shkruar nga Observatori i Ekonomive të Paligjshme në Evropën Juglindore, ka vënë në dukje rritjen e dograve sintetike në Ballkanin Perëndimor.

Sipas tij, ky rajon, përveç etiketimit si “transit i trafikimit të narkotikëve”, po tregon edhe se është prodhues i drogave sintetike.

Rritja e prodhimit ka sjellë edhe një rritje të konsumit të tyre.

“Drogat kryesore sintetike, që kontrabandohen në Ballkanin Perëndimor, janë amfetaminat, metamfetamina dhe ekstazia (MDMA), si dhe versione të reja sintetike të kanabisit dhe opioideve si heroina”, shpjegohet aty.

Në raport theksohet se burimi kryesor i drogave janë vendet e Evropës Perëndimore, veçanërisht Holanda, Belgjika, Republika Çeke dhe Bullgaria.

Një ndryshim tjetër, që nxirret në pah, është prirja e Serbisë për të importuar drogë sintetike nga vendet Baltike dhe Euro-Azia.

Duke përfshirë këtu Afganistanin, Iranin, Kirgistanin, Pakistanin dhe Uzbekistanin.

Ku po rritet prodhimi vendas?

Obsevartori bën me dije se prodhimi vendas i tyre po rritet në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi.

Midis viteve 2009 dhe 2019, policia në Serbi zbuloi mbi 140 laboratorë të paligjshëm të drogës, kryesisht në ambiente banimi.

Shumica e tyre ishin të lokalizuara në Beograd dhe Nish.

Zbulimi më i madh mbetet ende ai i vitit 2003, ku në qytetin e vogël Stara Pazova, policia gjeti rreth 2 milionë tableta ekstazie me vlerë mbi 4 milionë euro.

Gjithashtu u sekuestruan 20 tonë acid për prodhimin e ekstazisë, me vlerë që mendohet të jetë mbi 10 milionë euro.

Nga i gjithë ky mega-operacion, vetëm 245 persona u dënuan.

Milan Zaburica, i dënuar në Serbi për lidhjen me laboratorin e drogës

“Kjo”, sipas raportit, “tregon se policia po kap vetëm ‘gatuesit’ dhe jo të gjithë ata që përfshihen në rrjetet e prodhimit dhe shpërndarjes”.

Serbia ka qenë vazhdimisht në qendër të prodhimit të drogave, por vitet e fundit Maqedonia e Veriut po tregon të njëjtën gjë.

Në dhjetor të 2017-ës, policia zbuloi laboratorë të paligjshëm të drogës në fshatin Batinçi dhe në një shtëpi afër Tetovës në Maqedoninë e Veriut.

Ata sekuestruan rreth 910 mijë tableta Captagon, 52 kilogramë amfetaminë të pastër dhe sasi të mëdha substancash që përdoren për prodhimin e lëndëve narkotike.

I dyshuari kryesor, Milan Zarubica, ishte dënuar më parë në lidhje me një laborator në Stara Pazova, Serbi.

Përveç trafikimit dhe prodhimit, në raport theksohet se ka një treg vendas në rritje për drogat sintetike.

Aty shkruhet se në Serbi po shfaqen substanca të reja psiko-aktive, kryesisht kanabinoide sintetike, të cilat imitojnë drogat tradicionale të paligjshme, si kanabisi, kokaina, MDMA dhe LSD-ja.

Raporti ka trajtuar edhe çmimet, ku në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut, çmimet për drogat sintetike janë relativisht të ulëta, që është një faktor kryesor në rritjen e përqindjes së tyre të tregut krahasuar me drogat me bazë bimore.

Policia serbe gjatë aksionit

Kjo edhe për faktin se ato gjenden lehtësisht, veçanërisht në qytetet e mëdha.

Është e paqartë se si COVID-19 ka ndikuar në tregun e drogës sintetike në Ballkanin Perëndimor, por ekziston një ndjesi se tregu është relativisht elastik, ku disa droga sintetike përdoren si zëvendësues të heroinës.

“Megjithëse fokusi te drogat në Ballkanin Perëndimor zakonisht ka qenë te transiti i substancave me bazë bimore, si kokaina, heroina dhe kanabisi, është gjithashtu e rëndësishme të mbahet nën radar edhe prodhimi dhe përdorimi i drogave sintetike”, finalizohet raporti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore