Kampionate

Ballkani fik Dritën


Skuadra e Ballkanit ka vijuar ecurinë pozitive në Superligën e Kosovës, duke mundur 1-0 Dritën dhe duke forcuar më tej pozitat në vendin e parë të renditjes. Ndeshja ishte e vlefshme për javën e 12 të kampionatit.

Në Suharekë ishte një ndeshje e madhe mes dy skuadrave të vendeve të para në renditjen e Superligës, ndonëse kampionët në fuqi janë ende një koçkë shumë e fortë në futbollin vendas.

Të besuarve të Ilir Dajës iu mjaftoi një gol nga Lumbardh Dellova në minutën e 36 për të marrë tri pikët.

Me fitoren e arritur, Ballkani shkon në kuotën e 29 pikëve, pas 11 javësh të luajtura. Në vendin e dytë qëndron Drita me 22 pikë dhe po me 11 javë të luajtura.

Po këtë të mërkurë u zhvilluan edhe dy takime të tjera në Superlige. Gjilani mundi 2-1 Feronikelin me golat e Redon Ismailit dhe Nasko Milev-it. Për miqtë realizoi Alban Shillova.

Malisheva triumfoi minimalisht 1-0 në shtëpi ndaj Prishtinës. Goli vendimtar i takimit u realizua nga Ilir Mustafa me 11 metërsh.

Superliga do të vijojë të enjten me takimet e tjera: Liria – Dukagjini dhe Llapi – Fushë Kosova.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore