Shqipëria

Ballkani, aty ku të mëdhenjtë zhvillojnë gjeopolitikë mediatike


Një studim i paraqitur nga një ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare, Vladimir Shopov, në dhjetor të 2020-ës, zbulonte faktin se si Kina, është pozicionuar brenda sektorit mediatik në Evropën Juglindore.

Ai kreu 40 intervista në tetë vende të Ballkanit Perëndimor. Të përfshirë, ishin ekspertë të medias, gazetarë, lektorë universitetesh, diplomatë, politikanë dhe biznesmenë.

Sipas këtij raporti, “Kina po krijon një bashkëpunim të mirë menduar midis mediave publike dhe private në Ballkan”. “Ndërkohë që vëmendja kryesore është e drejtuar nga ekonomia dhe biznesi, ka filluar të përfshihet edhe media në projekte”.

Ndër agjencitë kineze që po krijojnë bashkëpunime me ato shqiptare, është Xinhau News Agency. Në Shqipëri, konkretisht, në vitin 2019 është shfaqur një dokumentar mbi sistemin e qeverisjes në Kinë. Kjo, në një marrëveshje midis mediave shtetërore të të dy palëve.

Inkurajim, ka pasur edhe nga diplomacia kineze, për të rritur angazhimin e të rinjve, në shkrime ku tregohet mirë menaxhimi i pandemisë nga Pekini. Pavarësisht këtij fakti, korrespondentët e Xinhua, nuk janë shumë aktivë në Shqipëri.

Por, në Bosnje dhe Hercegovinë, ata angazhohen edhe përtej gazetarisë. Për shembull, duke dhënë leksione në universitete.

“Pekini zyrtar, ka një agjendë të saktë mbi si duhet të funksionojë kjo strukturë”, shtjellon Shopov-i. “E njëjta gjë ndodh në Bullgari, Serbi, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Kroaci, pavarësisht se në nivele të ndryshme”.

Në Kosovë nga ana tjetër, hapësira për këtë ndërveprim mediatik, është shumë e ngushtë. Kjo, për faktin se superfuqia botërore, nuk e ka njohur ende zyrtarisht shtetin e ri ballkanik”.

Jo vetëm Kina

Ballkani, për të qenë të saktë, ka qenë nën influencë të kahershme mediatike. Agjencia e njohur gjermane e lajmeve, Deutsche Welle (DW), prodhon rregullisht produkte në gjuhën shqipe. Kronikat dhe lajmet transmetohen edhe në shqip.

Gjithsesi, të pyetur nga Albanian Post mbi arsyet dhe rëndësinë e transmetimit në shqip, asnjë përgjigje nuk u dha. “Na vjen keq, por nuk mund të përgjigjemi mbi këtë çështje”, ishte përgjigja nga zyrat DW-së.

Një tjetër agjenci që ofron lajme në shqip, është ajo turke, Anadolu. Albanian Post provoi të komunikonte, por sërish nuk pati një përgjigje.

Në lojë, është edhe gjigandi mediatik i Katarit, Al Jazeera. Ky i fundit, ka zgjedhur që rrjedhën e influencës ballkanike, ta shpërfaqë në pjesën sllave të rajonit. Konkretisht, në Bosnje dhe Hercegovinë.

Pavarësisht se në artikujt e tyre flitet edhe për Shqipërinë, gjuha, nuk është ajo shqipe, por sllave.

Nga ana tjetër, media botërore si Euronews apo CNN, kanë hapur filiale të tyre në Shqipëri, duke prodhuar përmbajtje origjinale. Përtej tyre, edhe zhvillimet evropiane apo amerikane, paraqiten sipas formatit të përcaktuar nga mediat mëmë.

Po e njëjta gjë, ndodh edhe me Zërin e Amerikës, i cili është i pranishëm në 45 gjuhë të ndryshme, që prej vitit 1942. Financimet për këtë media, vijnë tërësisht nga taksat e amerikanëve, në bazë ligjeve të nënshkruara mbi formimin e agjencisë.

Bazuar në ato çfarë thotë edhe Shopov-i në studimin e tij, është e qartë se këto projekte, nuk krijohen rastësisht. Aq më pak, në përmasa të tilla.

Mjafton të hysh sot në Netflix për të parë sugjerimet e para që shfaqen në kryefaqe. Mbizotërimi është ai i titujve amerikanë, për shkak të vendodhjes së kompanisë. Por, ajo që bie në sy, janë titujt e shumtë në gjuhën turke dhe prodhimet origjinale të tyre.

Kjo është gjithashtu një prezencë mediatike e shtuar, pavarësisht se në një mënyrë më indirekte. Nxitje të tilla për ndjekjen e programacioneve të huaja në Shqipëri, vijnë edhe në media sociale si YouTube, Facebook apo Instagram.

Thelbësisht, edhe pse në mënyra të ndryshme, qëllimi është i njëjti: Shtrirja gjeopolitike në rajone të caktuara. Këtë herë, në Ballkan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore