Shqipëria

Balla takon ministrin zviceran të Drejtësisë dhe Policisë, prioritet ekstradimet


Ministri i Brendshëm Taulant Balla është takuar këtë të martë të 18 qershorit në Bern, me Ministrin e Drejtësisë dhe Policisë të Zvicrës, Beat Jans.

Me të, Balla ka biseduar për rritjen dhe forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar, narkotikëve dhe drogave sintetike, si edhe migracionit të paligjshëm.

Ministrat kanë trajtuar gjithashtu si prioritet edhe çështjen e ekstradimeve të shtetasve që kërkohen nga drejtësia.

“Synojmë të ngremë Ekipe të Përbashkëta Hetimore në kuadër të Europol dhe Interpol, si dhe bashkëpunim në gjetjen e personave në kërkim dhe për ekstradimet”, ka theksuar Balla në një postim për këtë takim.

Ministri Balla ka theksuar faktin se nisur nga të dhënat e gjashtëmujorit të parë, në Shqipëri pritet të vijnë rreth 100 mijë turistë zviceranë.

Dhe se vendi po përjeton një boom turistik si asnjë vit tjetër më parë.

Ky takim sakaq është pjesë e një turi që Ministri i Brendshëm po zhvillon në Gjermani e Zvicër.

Më herët, Balla u prit në Berlin nga Ministrja e Brendshme Federale e Gjermanisë, Nancy Faeser.

Dy homologët e vunë theksin te bashkëpunimi i shkëlqyer mes policive të dy shteteve.

Këtu përfshihen operacionet e përbashkëta të tyre, por edhe në kuadër të operacioneve me Interpol, Europol, në luftën kundër krimit të organizuar, krimeve kibernetike dhe migracionit të paligjshëm.

“Mirënjohje Qeverisë dhe Policisë Federale për mbështetjen e ofruar Policisë Kriminale dhe forcave RENEA. Falë mbështetjes së vyer gjermane Policia e Shtetit do të ketë një shërbim modern dhe të sigurtë komunikimi të brendshëm”, u shpreh Balla pas takimit.

Ai theksoi praninë e Kombëtares Shqiptare të Futbollit në Kampionatin Europian, përmes sjelljes model e mbresëlënëse të tifozëve shqiptarë.

Pjesëmarrja e Policisë Shqiptare krah kolegëve gjermanë në garantimin e sigurisë gjatë europianit ishte gjithashtu pjesë e bisedës mes dy ministrave të Brendshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore