Shqipëria

Balla kërkon bashkëpunim në luftën kundër shitjes dhe përdorimit të lëndëve narkotike në shkolla


Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka zhvilluar një takim në gjimnazin “Halit Bërzeshta” në Prrenjas, ku ka folur për disa nga problematikat më shqetësuese për të rinjtë siç janë përdorimi i lëndëve narkotike, bullizmi online dhe siguria në ambientet shkollore.

Balla nënvizoi se ideja e paketës së sigurisë në shkolla kishte nisur nga ky qark dhe se sot mund të krenohemi me rezultatet e arritura.

Ai kërkoi bashkëpunimin e të gjithë të rinjve, që bashkë me mësuesit, strukturat policore dhe ato vendore, të identifikojnë dhe ndalojnë personat që shesin drogë pranë ambienteve shkollore apo tjetër.

Sa i përket luftës kundër shitjes dhe përdorimit të lëndëve narkotike, Balla theksoi se “ajo që është bërë më e njohur në kuadër të paketës së sigurisë në shkolla, është lufta kundër fenomenit të përdorimit të lëndëve narkotike, kryesisht të hashashit, por jo vetëm”.

“Aktualisht kemi një sfidë tjetër që janë drogat sintetike. Thirrja ime për të rinjtë e Përrenjasit, por edhe për të rinjtë e të gjithë vendit, është që droga është një kurth për shëndetin tënd, është kurth financiar për familjen tënde; droga të shkëput nga mësimi, të prish me shokët e shoqet, dëmton shëndetin tënd dhe atë financiar të familjeve tuaja”.

Ai kërkoi mirëkuptimin dhe bashkëveprimin e të gjithëve në mënyrë që të disponohet sa më shumë informacion për t’i identifikuar, gjetur e vendosur para drejtësisë “ata që duan të bëjnë biznes me shëndetin tuaj, duke dëmtuar financiarisht familjet tuaja”.

Problematika tjetër që trajtoi Balla, ishte bullizmi, qoftë në kontaktet e përditshme mes të rinjve, qoftë në rrjete sociale.

Por ai kërkoi që viktimat e mundshme të sulmeve të mos ndihen vetëm, por të reagojnë, pasi ata do të gjejnë mbështetje te strukturat policore, stafi arsimor.

“Bullizmi tashmë zhvillohet jo vetëm në kontakt të përditshëm, por edhe përmes rrjeteve sociale. Mjaft prej të rinjve e kanë shqetësim që dikush i hap një faqe false në TikTok dhe prej aty nis të publikojë të dhëna intime apo problematika të tjera, apo fillon të sulmojë dikë tjetër. Por për të gjitha këto problematika, mos mendoni se jeni vetëm, asnjëherë, por duhet ta raportoni atë qoftë përmes “report” që mund t’i bëni direkt asaj faqeje, por edhe te komisariati i policisë apo zyra të tjera, ose përmes oficerit të sigurisë në shkolla”, theksoi ai.

Ai kërkoi nga të rinjtë që krahas mësimit të merren me sport, apo të zhvillojnë dhuntitë artistike, pasi në këtë mënyrë mund të mbajnë larg fenomenet negative si droga.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore