Shqipëria

Balla depoziton në Kuvend rezolutën për Srebrenicën, votohet më 7 korrik


Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, të enjten e 30 qershorit ka depozituar në Kuvend, rezolutën për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë.

Aty shkruhet se Kuvendi i Shqipërisë “konfirmon qëndrimin e Shqipërisë se mohimi i gjenocidit të kryer ndaj popullatës boshnjake në Srebrenicë nga forcat serbe të Bosnjës përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar”.

“Kuvendi dënon fuqimisht çdo prirje dhe veprim për të mohuar publikisht me qëllim ose jo, gjenocidin e kryer në Srebenicë, fshehjen e motiveve, lavdimin e autorëve, ideatorëve dhe mbështetësve të këtij gjenocidi”.

Më 16 qershor, po Balla, nga foltorja e Kuvendit njoftoi se më 7 korrik do të ketë një prezantim të rezolutës dhe se Kuvendi i Shqipërisë, ashtu siç i ka hije, do të mbajë qëndrimin përkatës.

“Në një seancë do të ketë një moment të posaçëm për përkujtimin dhe nderimin e viktimave”.

Ai kishte edhe një përgjigje për kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili një muaj më parë propozoi një rezolutë për gjenocidin, por që nuk u votua nga mazhoranca.

“Në asnjë rast Kuvendi i Shqipërisë, përmes rezolutave, nuk mund të përdoret nga askush për nevojat e momentit dhe kontekstit politik”, shpjegoi kreu i Grupit të PS-së.

Sipas tij, Kuvendi është i shqiptarëve, jo i politikave personale dhe këta “individë nuk mund të rehabilitohen përmes rezolutave”.

Po ashtu, Balla u shpreh se ka marrë edhe dakordësinë e Grupit Parlamentar demokrat, me në krye Enkelejd Alibeajn.

Mazhoranca – sa i përket – rezolutës së propozuar nga Berisha ka përsëritur shpesh se rrëzimi i saj nuk ka të bëjë me përmbajtjen, porse PS-ja nuk do të votojë kurrë një propozim të ardhur nga një person i shpallur non grata, si Sali Berisha.

“Dua të sqaroj se qëndrimi ynë kishte dhe ka të bëjë me faktin se njëri prej deputetëve propozues quhet Sali Berisha, i cili me vendimin që ne kemi marrë, është i papranueshëm për çfarëdolloj propozimi”, tha Balla në fjalën e tij.

Sipas deputetit të PS-së, qëndrimi i Shqipërisë ndaj masakrës serbe në Srebrenicë është tepër i qartë.

Propozimi i Shehut

Më 12 maj, deputeti i PD-së, Tritan Shehu, doli në një deklaratë për mediat, ku tha se mazhoranca nuk pranoi rezolutën “Për njohjen dhe dënimin e gjenocidit të Srebrenicës në Bosnjë dhe Hercegovinë”, duke e akuzuar këtë si një “akt i rëndë”.

“Nuk prisja këtë qëndrim që mbajtën të majtët. Jam i befasuar, sepse ata nuk pranuan që kjo rezolutë të kalojë në parlamentin shqiptar”.

Deputeti i PD-së, Tritan Shehu

Sipas Shehut, rezoluta ka kaluar në Parlamentin Evropian (PE) dhe në vendet fqinje si Kosova dhe Mali i Zi.

“Parlamenti shqiptar deri sot nuk ka kaluar asnjë dokument për të dënuar këtë gjenocid, siç ka bërë PE, gjë që krijon një impakt shumë të madh për Kuvendin e Shqipërisë. Akt shumë i rëndë bllokimi i kësaj rezolute që ka kaluar në Kosovë, Mal të Zi”.

Sipas deputetit, ky bllokim i kësaj rezolute, që ka përkuar me një kohë kur problemet në Evropë janë të vështira pas agresionit rus në Ukrainë dhe kur Serbia s’ka pranuar sanksionet kundër Rusisë, do të thotë “të jesh i detyruar shumë të mos pranosh të hapësh një kërkesë kaq të vlefshëm që do të kërkonte jo dënimin, por kërkesën për falje”.

“Sipas qëndrimit që mbajti PS, shpresoj që nesër seanca plenare do vendosë të kundërtën, nuk do lejojnë këtë aventurizëm që të majtët sot në konferencën e kryetarëve ndërmorën”, tha Shehu.

Debati Balla – Shehu

Fill pas deklaratës së Shehut, kreu i Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste (PS), Taulant Balla, u shpreh se Shqipëria e ka dënuar masakrën e Srebrenicës, duke mbështetur edhe rezolutat e OKB-së.

Dalja e tij për mediat ishte kundërpërgjigje ndaj Shehut, i cili tha se mazhoranca nuk pranoi rezolutën “Për njohjen dhe dënimin e gjenocidit të  Srebrenicës në Bosnjë dhe Hercegovinë”, dhe e akuzoi këtë si “akt të rëndë”.

“Për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë, të gjithë biem dakord që Shqipëria e ka dënuar këtë masakër. Shqipëria ka qenë mbështetëse e rezolutave në OKB dhe OSBE për dënimin e gjenocidit dhe kemi përshëndetur vendimmarrjet e Gjykatës së Hagës ndaj autorëve të kësaj masakre”.

Kreu i Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla

Balla gjithashtu iu drejtua edhe deputetit të Partisë Demokratike (PD), Tritan Shehu, i cili propozoi në Kuvend rezolutën “Për njohjen dhe dënimin e gjenocidit të Srebrenicës në Bosnjë dhe Hercegovinë”.

“Në këtë kontekst kemi pasur një propozim me propozuesin Tritan Shehu, i kam kërkuar që këto çështje të kenë dakordësinë e të gjitha palëve dhe askush nuk duhet të marrë protagonizmin”.

Votimi i rezolutës

Votohet kundër rezoluta “Për njohjen dhe dënimin e gjenocidit të Srebrenicës në Bosnjë dhe Hercegovinë” e propozuar në Kuvend nga deputeti i Partisë Demokratike (PD), Tritan Shehu.

“Votuat sipas urdhrit të Aleksandër Vuçiç. Shqipëria nuk ka pasur kurrë më anti-shqiptar se Edi Rama. Votuat duke shkelmuar mbi jetët e 10 mijë shqiptarëve në Kosovë”, tha ish-kryeministri Sali Berisha menjëherë pas votimit.

Më herët, gjatë fjalës së tij në Kuvend u shpreh se njohja e gjenocidit në Srebrenicë është një akt i domosdoshëm për kombet dhe shoqëritë e civilizuara.

“Kjo seancë shënon një moment të rëndësishëm, në jetën e këtij parlamenti dhe po kaq me rëndësi për kombin shqiptar. Nisma e deputetëve të Grupit të Partisë Demokratike për të dënuar gjenocidin serb në Bosnjë është nismë që synon nderimin e 8 mijë viktimave të Srebrenicës, në tërësi burra dhe djem të besimit myslimanë”.

Sipas tij, udhëheqësit aktualë me në krye “Aleksandër Vuçiç janë arkitektë të këtij gjenocidi”.

“Kemi detyrim për të dënuar këtë. Vuçiç tha për çdo serb të vriten 100 boshnjakë. Shqipëria ndihmoi gjatë luftës në Bosnjë në të gjitha mënyrat”.

Pas Berishës, fjalën në Kuvend e mori Taulant Balla i cili lëshoi akuza në drejtim të ish-kryeministrit duke e bërë dhe atë përgjegjës për masakrën e Srebrenicës dhe “sa i përket luftës së Kosovës, mbetesh tradhtari më i madh”.

Balla tha se Berisha për disa vite ka furnizuar makineritë e luftës me karburant, gjë që, sipas tij, e konfirmojnë edhe raportet amerikane.

“Gjenocidi serb, nga ushtria jugosllave është ushqyer me naftën prej teje. Kjo çështje nuk mbyllet sot. Në 25 prill të 1995, pra rreth 3 muaj nga dita e ndodhjes së kësaj tragjedie, gazeta New York Times publikon një raport, ku thuhej se Shqipëria po furnizon me naftë kontrabandë ushtrinë serbe në Bosnjë”.

Balla, mes të tjerash, paralajmëroi Berishën se pas 4 vitesh nuk do të jetë më deputet në këtë sallë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore