Bajrami thotë se raporti që iu dërgua BE-së për Banjën është “faktik” dhe “bindës”

SHFLETO

Ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami.

 

Altina Marmullaku
26.06.2024 10:09
Loading Icons...

Ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami, ka njoftuar rreth procesit se si është informuar Bashkimi Evropian për sulmin në Banjë, pas deklaratës së zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano, i cili ka thënë se akoma s’është dorëzuar një raport i plotë hetimi për sulmin e 24 shtatorit në Banjë.

Bajrami, përmes një shkrimi në platformën sociale ‘X’, ka njoftuar për të gjitha procedurat që janë ndërmarrë nga Kosova pas sulmit terrorist.

Sipas tij raporti është “faktik” dhe “bindës”, ndonëse nga BE-ja është konsideruar si raport politik, duke e cilësuar atë si jo-profesional, e i bazuar në informacione të publikuara nëpër media të ndryshme, sesa i përpiluar pas një analize konkrete të zhvillimeve dhe të ndërlidhjes së fakteve.

“Më 20 tetor, raporti preliminar (51 faqe) iu dërgua BE-së, NATO-s dhe të gjitha shteteve të tyre anëtare. Gjatë dhjetorit 2023 dhe gjatë periudhës janar-shkurt 2024, u ndanë versionet e përditësuara të raportit. Informacionet e përfshira në këto dokumente janë faktike, të vërtetuara dhe bindëse përtej dyshimit të arsyeshëm”, ka shkruar ai.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka deklaruar më 25 qershor se autoritetet kosovare nuk kanë dërguar një raport të plotë e përfundimtar për hetimin e rastit të sulmit terrorist të 24 shtatorit.

“Nëse i referoheni incidentit të 24 shtatorit në Banjë, kjo është diçka që ka ndodhur në territorin e Kosovës dhe autoritetet kosovare janë përgjegjëse për hetimin dhe ofrimin e një raporti të plotë hetimor. Kjo nuk ka ndodhur ende, kështu që nuk mund të vazhdojmë pa pasur rezultatet e hetimit”, ishte deklarata e Stanos.

Nga Qeveria kanë thënë se është përpiluar një raport 48 faqesh në lidhje me sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit, të cilin ia ka dërguar Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare qysh në vitin e kaluar.

Ekzekutivi kosovar ka akuzuar vazhdimisht edhe Prokurorinë Speciale të Kosovës (PSK) për mosngritje të aktakuzave për paramilitarët serbë në veri të vendit, duke fajësuar gjithashtu autoritetet kosovare të drejtësisë për mungesë të raportit zyrtar të hartuar nga organet kompetente për inkursionin terrorist në mënyrë që përgjegjësit të vihen para drejtësisë.