Lajme

Bajrami: Realiteti jashtë grafeve të Armend Mujes, është se jeta e qytetarëve u rëndua nga paaftësia e Qeverisë


Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, i ka reaguar deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, i cili është lavdëruar për qarkullimin e bizneseve private.

Sipas Bajramit, Qeveria aktuale s’ka bërë asnjë veprim për të ndikuar në rritjen e qarkullimit të bizneseve, “përpos që e ka dyfishu tatimin në pronë”, ka shkruar ajo në rrjetin social ‘Facebook’.

Tutje ajo ka prezantuar shifra duke u bazuar tek institucionet.

“Qarkullimin në sektorin privat e ka rritë inflacioni (rritja e çmimeve) 11.6% në vitin 2022 dhe 4.9% në vitin 2023, që në kumulativ i bie çdo produkt është me i shtrejtë sot për 17% në mesatare e produkteve bazë të konsumit pothuaj u është dyfishu çmimi”.

“Këtë më se miri e dëshmojnë të dhënat nga Banka Qendrore e Kosovës, të dhënat e publikuara nga Instiuti GAP – rritja e kredive konsumuese prej 375 milionë euro sa ishte në vitin 2020 është rritë në 608 milionë euro në vitin 2023 apo 62% dhe rritje e mbitërheqjeve (overdraftit) nga 143 milionë euro në vitin 2020 ka shkuar në 471 milionë euro në vitin 2023 apo 229% rritje”.

Ajo ka shtuar se sot qytetarët marrin borxh për t’i përballu shpenzimet e tyre ditore.

“Realiteti jashtë grafeve të Armend Mujes është që sot jeta e qytetarëve është më e rëndë për shkak të paaftësisë së kësaj Qeverie. Pres që grafet e ardhshme Armend Mujes me qënë për inflacionin 2020-2023 dhe çmimet e energjisë elektrike 2020-2023”.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka thënë se bazuar në të dhënat preliminare të ATK-së, bizneset e Kosovës kanë raportuar qarkullim vjetor të vitit paraprak 2023 rreth 20 miliardë euro.

“Rritje kjo prej 66.5% krahasuar me vitin 2020. Tendenca e re është që deri në fund të mandatit të Qeverisë Kurti II qarkullimi i bizneseve do jetë dyfishi në terma absolut krahasur me vitin 2020”, ka shkruar ai.

Sipas tij ngjashëm, ka ndodhur edhe me kontributin e bizneseve në kuadër të tatimit në të ardhura të korporatave që ka thënë se u “dyfishua nga 85.3 milionë sa ishte në vitin 2020 në 183.8 milionë në vitin 2023”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore