Bajrami për ekzekutimin e pagave: S’mund të bëhet pa shkelje të ligjit

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se Qeveria ashtu siç e ka shkelur Kushtetutën e Kosovës e ligjin disa herë, do të veprojë njësoj kur do t'i ekzekutojë pagat për sektorin publik.
SHFLETO

Hykmete Bajrami

 

Sahide Brati
01.10.2024 15:19
Loading Icons...

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, (LDK), Hykmete Bajrami, ka thënë se ekzekutimi i pagave me këtë Qeveri s’mund të bëhet pa shkelje të ligjit.

Përmes një shkrimi në ‘Facebook’, Bajrami, thekson se shkelja e ligjit përsëritet duke u caktuar një ushtrues detyre në Thesar përtej afatit ligjor.

“Ju tregova edhe më herët që këta që e kanë shkelë 10 herë Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e kanë shkelë ligjin dhjetëra herë, e shkelin prapë duke e caktuar përtej afatit ligjor një ushtrues detyre në Thesar dhe procedojnë me paga”, ka shkruar Bajrami.

Bajrami përmendi nenin 35, pikën 3,4 dhe 5 të Ligjit për Zyrtar Publik.

“Zyrtarja/i publik nuk mund të caktohet si ushtruese/i detyre më gjatë se gjashtë muaj. Kur pozita nuk mund të plotësohet brenda afatit gjashtë mujor, ky afat mund të zgjas më së shumti edhe për gjashtë muaj të tjerë”.

“Pozita e lirë nuk mund të zëvendësohet me ushtrues detyre për më gjatë se afati i përcaktuar në paragrafin 3, të këtij neni”.

“Çdo vendim i marrë nga ushtruesja/i i detyrës, pas kalimit të afatit të përcaktuar të paragrafin 3.të këtij neni, është i paligjshëm”, përfundoi ajo.

Që nga e hëna zyrtarët publikë kanë mbetur pa paga, kjo për shkak të skadimit të mandatit të ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Thesarit.

Ekzekutimi i pagave për zyrtarët publikë dhe skemat sociale do të duhej të bëhej më 30 shtator.

Pa nënshkrimin e ushturesit të detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Thesarit, nuk mund të bëhet asnjë dalje e parasë publike nga llogaritë e shtetit.

Ministria e Punëve, Financave dhe Transfereve, s’ka dalur akoma me një sqarim lidhur me këtë çështje e as Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë (DMZP), i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.