Lajme

Bajrami, Muratit: Kush ka përfituar nga 30 milionë eurot e Qeverisë Kurti – kur s’ka listë, ka keqpërdorime


Deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami dhe ministri i Financave Hekuran Murati.

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se askush nuk ka njohuri se kush ka përfituar nga masa 30 milionë euro e Qeverisë Kurti.

Bajrami përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, është shprehur se pa listë nuk mund të ketë investime.

Nga ministri i Financave, Hekuran Murati, Bajrami ka kërkuar që të publikohet lista.

“Kur nuk ka listë nuk është investim – është keqpërdorim. Publikoje listën ministër, nga kush po frikësohesh?! Qindra miliona të shpërndara dhe asnjë listë deri me tani. Për rezultate s’ka nevojë me komentu fare, po shihen”, ka shkruar ai.

Teksa, ka kujtuar se përmes masës 2.1, Qeveria kishte mobilizuar 100 milionë euro investime në pajisje dhe makineri, në bizneset private.

“As opozita, as qytetarët, as mediat, as shoqëria civile, por as donatorët që e patën aludua ministrin kur e pat publiku një listë të Qeverisë Hoti, sot nuk e dinë se kush ka përfituar nga masa 2.1 – 30 milionë euro e Qeverisë Kurti”.

Më 11 gusht, Ministri i Financave, Punёs dhe Transfereve Hekuran Murati në mbledhjen e 24-të të Qeverisë kishte propozuar ndarjen e 30 milionë eurove për implementimin e katër masave nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike.

Masat në fjalë janë masa 2.2 Mbështetja bizneseve për qasje në financa; masa 3.2 Mbështetja për pensionistët dhe familjet me asistencë sociale; masa 4.3 Mbështetja e Kulturës dhe Sportit; dhe masa 4.5 Mbështetja e mërgatës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore