Kosova

Bajrami: Kurti s’është duke e shtrirë sovranitetin në Veri, po e çon Kosovën drejt një rruge të rrezikshme


Hykmete Bajrami

Albin Kurti, sipas Hykmete Bajramit, nuk është duke shtrirë sovranitetin në Veri, por vlerëson se kryeministri po e çon Kosovën drejt një rruge të rrezikshme dhe, siç thotë ajo, nuk bëhet fjalë vetëm për izolim.

Këto komente, Bajrami i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pas reagimit të ashpër të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ndaj Qeverisë së drejtuar nga Kurti, në lidhje me aksionin e Policisë, ku u mbyllën pesë objekte të komunave paralele serbe në Veri.

“Unë si deputete e Kuvendit të Republikës jam e obliguar t’i qëndroj besnike të vërtetës dhe interesave të vendit: Albin Kurti e ka gabim”, shkroi fillimisht Bajrami.

Në prizmin e deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), veprimet e tij nuk po e shtrijnë sovranitetin në Veri.

“Që tri vjet e gjysmë Kurti duke mos pasur as edhe një rezultat në ekonomi, drejtësi, arsim dhe shëndetësi, ka krijuar skena në Veri duke i kthyer kundër nesh pothuaj të gjithë aleatët”.

Ajo rikujtoi se këto veprime janë dënuar nga partnerët ndërkombëtarë vazhdimisht, “na kanë izoluar, na kanë vënë nën sanksione dhe kanë minimizuar mbështetjen për të cilën Kosova ka punuar kaq shumë”.

Sot, Qeveria e Kosovës, rrjedhimisht Kosova, Bajrami konsideron se ka ngelë pa aleatë, derisa tregon se si me veprimet e tija, kryeministri Kurti po i jep shansa të mira presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

“Ndërkohë, Kurti paraqitet si ‘patriot’ përmes këtyre ‘’aksioneve’ duke i dhanë shansë Serbisë dhe Vuçiç-it të përfitojnë nga këto sjellje, ka rehabilituar imazhin e Serbisë e po forcon kapacitetet e e saj ushtarake”.

Marrëveshja e fundit Serbi-Francë për blerjen e avionëve luftarakë në vlerë prej 2.8 miliardë eurosh, në prizmin e Bajramit, “është pasojë e drejtpërdrejtë e sjelljes së papërgjegjshme të qeverisë sonë”.

“Mjafton të shikoni këtë marrëveshje për të kuptuar se ku është Serbia sot dhe ku është Kosova. Ky nuk është thjeshtë një dështim diplomatik, është një katastrofë strategjike”.

E vërteta sado e hidhur dhe jopopullore duhet thënë zëshëm, insiston deputetja, duke shtuar se “Kurti po e çon Kosovën drejt një rruge të rrezikshme dhe nuk bëhet fjalë këtu vetëm për izolim”.

“Sot në kohë krizash e fragjilitet sigurie është e qartë më shumë se çdo herë tjetër që na duhet koordinimi me aleatë, sepse KFOR-i është përgjegjës për sigurinë në atë pjesë të vendit. Pse është kaq e vështirë për t’u kuptuar kjo?”.

Republikës, vlerëson Bajrami, i duhet një udhëheqje që prioritizon stabilitetin, sigurinë dhe pozitën ndërkombëtare të saj.

“Është koha të rikthejmë aleancat tona, të rindërtojmë marrëdhëniet diplomatike dhe të sigurojmë që Kosova të mbetet një anëtare e respektuar e komunitetit ndërkombëtar. E ardhmja jonë varet nga kjo dhe nuk duhet të pushojmë derisa të kemi një qeveri që interesat e shtetit i vendos para atyre të partisë”, potencoi ajo ndër të tjera.

Në reagimin e ambasadës amerikane në Prishtinë theksohet se Qeveria e SHBA-së përsërit shqetësimin dhe zhgënjimin e saj me veprimet e vazhdueshme të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, të cilat, sipas tyre, “vazhdojnë të kenë një efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve të komunitetit etnik serb dhe komuniteteve të tjera pakicë në Kosovë”.

“Çështjet që kanë të bëjnë me strukturat e mbështetura nga Serbia në Kosovë duhet të trajtohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në reagim, derisa bëhet me dije se ky veprim nuk ishte i koordinuar me asnjë element të bashkësisë ndërkombëtare.

Aty potencohet se SHBA-të dhe partnerët e tyre ndërkombëtarë kanë kërkuar vazhdimisht nga Qeveria e Kosovës që të ketë prioritet koordinimin me bashkësinë ndërkombëtare dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme për çështjet në agjendën e Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

“Dështimi i Qeverisë së Kosovës për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave reflekton një përkeqësim real dhe në rritje të partneritetit tonë. Siç e kemi theksuar më parë, veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës i vënë në rrezik më të madh qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar”.

Madje, ata theksuan se Policia është duke u instrumentalizuar nga politika, në këtë rast nga Qeveria Kurti.

“Përderisa qeveria e Shteteve të Bashkuara është krenare që ka mbështetur themelimin dhe profesionalizimin e Policisë së Kosovës gjatë shumë viteve si pjesë e angazhimit tonë për të promovuar sigurinë dhe stabilitetin, instrumentalizimi i vazhdueshëm i Qeverisë i Policisë së Kosovës për të kryer veprime të pakoordinuara nuk është në përputhje me premton të ‘vazhdojë konsultimin dhe koordinimin me komunitetin ndërkombëtar’”.

Veprimet e Qeverisë, bënë të ditur nga ambasada e SHBA-së, “do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj”.

Edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Jonathan Hargreaves, është shprehur i shqetësuar për aksionin e së premtes në Veri të Kosovës, ku u mbyllën pesë komuna paralele, duke thënë se veprime të tilla mund të nxisin tensione.

Reagimin e ka bërë Hargreaves, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Veprimet që ndikojnë thelbësisht në mirëqenien e serbëve të Kosovës dhe të komuniteteve të tjera joshumicë kërkojnë konsultim të kujdesshëm me miqtë e palëkundur të Kosovës dhe partnerët e sigurisë, në kontekstin e dialogut më të gjerë”.

“Veprimet e sotme në veri të Kosovës u kryen pa këtë dhe rrezikojnë të nxisin tensione dhe të prekin më të cenuarit”, ka shkruar ai.

Në këtë linjë kanë qenë edhe ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde si dhe ai francez, Olivier Guerot.

Ata kanë shprehur shqetësimin e tyre për veprimet e institucioneve të Kosovës në Veri të vendit, të premten.

Sipas Rohdes, Kosova po krijon kriza të panevojshme.

“Njoftimi nuk është konsultim. Gjermania i bashkohet reagimit të Ambasadës Amerikane në shprehjen e shqetësimit dhe zhgënjimit mbi veprimet e pakoordinuara. Kjo duhet të ndryshojë”.

“Duam të heqim masat dhe të lëvizim përpara në integrimin rajonal dhe evropian të Kosovës. Jo më gjendje krize të panevojshme”, ka shkruar Rohde në rrjetin social ‘X’.

Kurse ambasadori francez, Olivier Guerot ka thënë se veprime të tilla s’janë të mirëpritura.

“Veprimet që kanë ndikim të dëmshëm në komunitete, në këtë rast te komniteti serb, nuk është i mirëpritur”.

“Njëanshmëria nuk sjell zgjidhje të qëndrueshme”, ka shkruar ai në platformën ‘X’.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore