Lajme

Bajrami e quan Muratin “ministër propaganda”: Rritjen e pagave e ka llogaritur me atë të Gani Jakupit


Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, i ka reaguar ministrit të Punës, Transfereve dhe Financave, Hekuran Murati në lidhje me deklaratat e tij për rritje të pagave.

Bajrami, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se llogaritjen Murati, duket se e ka bërë me pagën e këshilltarit Gani Jakupi .

“Ministër propaganda po thotë që i ka rritë pagat 17%, në këtë 17% e paska llogaritë pagën 7500 euro të Gani Jakupit dhe pagën e vet e të stafit politik që ky me tu bërë ministër i financave i ka dyfishu. Realiteti është se askujt tjetër në vend në sektorin publik nuk i është rritë paga 17% gjatë vitit 2023, askujt”.

“Kur ti thua që i ke shpenzu më shumë 17% më shumë në paga kjo nuk i bjen që i ke rritë pagat për 17%, por i bjen që me taksat e qytetarëve po paguan Gani Jakupin e shokët e tij që nuk janë të paktë dhe ky është keqpërdorim i parasë publike”, ka shkruar ajo.

Ndërsa, ka thurur lavda për qeverisjen e ish kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti në këtë sektor.

“Sa i përket rritjes së pagave në kohën e Avdullah Hotit minister i financave, ta kujtoj se inflacioni në atë kohë ka qënë -0.4 % (2015); 0.3% (2016) dhe 1.5% (2017), ndërsa në mandat tëndin inflacioni këto tri vite ka kalu 23%, dmth. çdo pagë është zhvlerësu me së paku 23%”.

Sipas saj, të pakënaqur me sistemin financiar në Kosovë vazhdojnë të mbesin pensionistët.

“Pyeti pensionistët qysh ndihen sot. 100 eurot që ju ke dhënë njëherë gjatë vitit 2023 iu kanë përmirësuar jetën atyre që i kanë marrë një javë, vetëm një javë, hiç ma shumë. Po të punoje e të dije, sot pensionet të ishin më të larta se paku për 23%, aq sa ka inflacion”.

“Pensionistët nuk i kanë pasë problem çmimet e larta vetëm javën kur ti ju ke dhënë 100 euro, ata përballën me çmime të larta çdo ditë”.

Bajrami iu drejtua Muratit me disa pyetje, “çka ndodhi me 160 çerdhe, 4000 banesa për qifte të reja? , shportë të konsumit me të lirë?, energji me të lirë? E kujt është kjo propagandë?”.

Reagimi i Bajramit, vjen pas shkrimit të ministrit të Financave, Hekuran Murati i cili ka thënë se LDK-ja është duke e vazhduar propagandën me shpresë që nëse e përsërisin mjaftueshëm, ndoshta dikush fillon dhe e beson.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore