Lajme

Baerbock konfirmon se Gjermania do të dërgojë 150 trupa shtesë në Kosovë


Annalena Baerbock

Ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, në një prononcim të shkurtër për media pas takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s, ka bërë të ditur se Gjermani do të dërgojë rreth 150 trupa shtesë në Kosovë në javët në vijim.

Kryediplomatja gjermane ndër të tjera ka theksuar se angazhimi i NATO-s dhe i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor shkojnë paralelisht.

“Misioni EUFOR garanton sigurinë në Bosnje e Hercegovinë dhe KFOR-i në Kosovë. Gjermania do të kontribuojë deri në 150 trupa shtesë për KFOR-in”, ka thënë shkurt ajo.

Në anën tjetër shefi i Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, në prag takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s, kërkoi nga Kosova dhe Serbia që ta rrisin vullnetin e tyre për të zbatuar Marrëveshjet e dalura nga dialogu në atë mënyrë për të vazhduar rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Union.

Diplomati spanjoll ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në mes të BE-së dhe NATO-s në Kosovë gjegjësisht misionit të EULEX-it dhe KFOR-it.

“BE-ja dhe NATO-ja janë përballur disa herë me momente të vështira dhe ne do të vazhdojmë të mirëmbajmë sigurinë në këtë pjesë të Kosovës dhe në kufirin me Serbinë, EULEX-i po luan një rol të rëndësishëm për këtë dhe një gjë të tillë e ka bërë me vite dhe do të vazhdojë ta bëjë”.

Ai ka konfirmuar se në këtë sesion të NATO-s ndër të tjera do të diskutohet edhe për Ballkanin Perëndimor.

“E dini sa është e rëndësishme Ballkani Perëndimor për BE-në. Shumë shtete brenda BE-së angazhohen në këtë rajon. Dhe disa nga shtetet e Ballkanit Perëndimor janë kandidat të BE-së. Stabiliteti dhe Prosperiteti dhe radhitja e tyre me Politikën tonë të jashtme është e një rëndësie vitale”.

Kosova dhe Serbia ta rrisin vullnetin e tyre për të zbatuar Marrëveshjet, thotë Borrell

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore