Shqipëria

Babë e bir në pranga në Malësinë e Madhe, iu gjetën 26 kilogram kanabis gati për t’u shitur


Në Malësi të Madhe, babë e bir kanë rënë në prangat e policisë pasi u janë gjetur 26 kilogram kanabis gati për t’u shitur.

Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se dy shtetas mbanin në banesën e tyre, në fshatin Vukpalaj, sasi të konsiderueshme lënde narkotike cannabis sativa, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe organizuan punën në kuadër të planit operacional antidrogë të koduar “Tempulli” dhe finalizuan operacionin policor të koduar Vukpalaj”.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit Paulin Dekaj 63 vjeç dhe Alfred Dekaj 35 vjeç (babë e bir).

Nga kontrollet në ambientet përreth banesës së të arrestuarve, u gjetën rreth 26.4 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa, gati për t’u shitur.

Sasia e lëndës narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me një pajisje presimi, një peshore elektronike dhe qese për ambalazhim, të cilat u gjetën gjithashtu në këto ambiente.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore