Kosova

Azem Syla deklarohet i pafajshëm për veprat e ngarkuara në rastin “Toka”


Seanca gjyqsore ne rastin "Toka"

“I pafajshëm” është deklaruar ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për akuzat që i ngarekohen për krim të organizuar, pastrim të parave, marrje të mitos dhe vepra tjera penale në rastin e njohur si “Toka”.

Edhe të akuzuarit tjerë në këtë rast, Arton Vila, Ramadan Uka, Avdyrrahman Brajshori, Shpresim Uka, Shaban Syla, Gazmend Gashi, Ramadan Mavraj, Ndue Palushi, Sami Maqedonci, Nyrtene Brajshori, Lumnije Sopjani, Elheme Uka, Lubisha Vujoviç, Avni Maxhuni, Sabedin Haxhiu, Ilaz Syla, Vidosav Novakoviç, u deklaruan njejtë, të pafajshëm.

Vetëm i akuzuari Fahredin Gashi nuk u deklarua. Avokati i tij Gëzim Kollqaku, tha se klienti i tij ka ekspertizë psikiatrike që vërteton se nuk është i aftë për ta kuptuar aktakuzën, raporton Betimi për Drejtësi.

Në këtë rast, ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Azem Syla dhe të tjerët nga viti 2016 po akuzohen për vepra të ndryshme penale që lidhen me korrupsionin e krimin e organizuar.

Fillimisht në këtë rast kanë qenë 22 persona të akuzuar. Por, për N.U. dhe Sh.M., është pushuar procedura pasi ata kanë ndërruar jetë, ndërsa për shkak se gjykata nuk ka arritur të sigurojë prezencën e Ilaz Sylës, Mustafë Halitit dhe Hajrullah Berishës, për të njëjtit është veçuar procedura.

Gjykatësi ka bashkuar procedurën penale ndaj Ilaz Sylës, i cili ka qenë i akuzuar në këtë rast.

Po ashtu, ka bashkuar procedurën edhe ndaj tani të akuzuarit Vidosav Novakovic, duke thënë se në këtë çështje penale do të merret një aktgjykim meqenëse sipas tij, janë provat të ndërlidhura dhe rasti është i njëjtë.

Ndryshe, kjo lëndë fillimisht gjykohej nga gjykatësi Beqir Kalludra dhe pasi që gjykimi ishte afër përfundimit të tij, avancimi i gjyqtarit Kalludra kishte ndikuar që kjo lëndë të mbetej pa u përfunduar.

Gjykata Themelore në Prishtinë këtë lëndë më pas ia kishte ndarë në punë gjykatëses Shpresa Hasaj-Hyseni, e cila nuk kishte mbajtur asnjë seancë.

Por, edhe pasi rasti ishte pothuajse në përfundim, kur gjykohej nga gjykatësi Kalludra, i njëjti duhet të nis përsëri. Kjo pasi neni 311, paragrafi 3 i Kodit të Procedurës Penale përcakton se: “kur shtyrja ka zgjatur më shumë se tre (3) muaj ose kur shqyrtimi gjyqësor mbahet para një kryetari tjetër të trupit gjykues, shqyrtimi gjyqësor duhet të fillojë rishtas dhe përsëri të shqyrtohen të gjitha provat”.

Duke u bazuar në Kodin e Procedurës Penale, të gjitha dëshmitë e dëshmitarëve, të akuzuarve dhe provave të tjera që janë shqyrtuar nga gjykatësi Kalludra, duhet që të shqyrtohen edhe njëherë nga fillimi nga kryetari i ri i trupit gjykues, Arben Hoti.

Ndryshe, ky shqyrtim nga fillimi i gjykimit është karakterizuar me zvarritje, në masën më të madhe, në kohën që gjykohej nga gjykatësit e EULEX-it.

Aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.

Gjithashtu, të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim, përmes veprimtarive kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive.

Hetimet në këtë rast ishin bërë edhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë për Krim të Organizuar në Beograd.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore