Kosova

Avokati i Thaçit: Specialja duhet t’i refuzojë dokumentet nga Serbia


Ish kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe avokati i tij mbrojtës, Gregory Kehoe.

Gregory Kehoe, avokati i ish presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, konsideron se procesi gjyqësor në Gjykatën Speciale në Hagë është duke u vonuar për shkak të prokurorisë.

“Procesi nuk po fillon sepse Prokurori nuk ka qenë i gatshëm ta fillojë atë. Nëse ju kujtohet, në nëntor të vitit 2020, Prokurori pati thënë se është i gatshëm të fillojë gjyqin për gjashtë muaj. Kjo ndodhi para gati dy viteve që kur ai e bëri këtë koment, dhe akoma nuk është i gatshëm. Ata nuk kanë bërë gjithçka që duhet të bëjnë, sipas rregullave, prandaj është vonuar”, deklaroi Kehoe.

Ai në një intervistë për agjencinë e lajmeve KosovaPress pohon se Gjykata duhet t’i refuzojë dokumentet që vijnë nga Serbia.

“Besoj që po! Qartazi, dokumentet e marra nga Serbia janë të diskutueshme. Çështja se Serbia ka qenë historikisht e përfshirë në fabrikimin e dëshmive dhe të dëshmitarëve, prandaj argumentet që ne i kemi ngritur janë se ne jemi të thirrur të dimë se prej nga vijnë këto dëshmi”.

Por, sqaron se gjykimi aktual ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po bëhet në atë mënyrë që t’i fajësojnë ata.

“Nuk duhet të jetë një gjyq që zgjat më shumë se gjyqi i Millosheviçit por kjo është ajo që prokurori do të përpiqet të bëjë. Kjo nënkupton, sipas meje, se ata do të shqyrtojnë çdo incident që ka ndodhur në Kosovë në vitin 1998 dhe 1999 dhe sipas një teorie të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”, t’i fajësojnë këta katër persona”.

Ish kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

I pyetur për fshehjen e dokumenteve nga prokuroria si dhe listën e dëshmitarëve Kehoe, tha se këtë po e bëjnë për sigurinë e dëshmitarëve.

“Ky është argumenti që ata po e përdorin. Megjithatë, duhet të ketë llogaridhënie, t’i thuhet Mbrojtjes se çka do të thonë këta dëshmitarë dhe kush janë këta dëshmitarë. Kjo është ajo çfarë kërkova sot (të enjten) në gjykatë. Kjo është kyçe. Gjykata thotë se duhet bërë marrëveshje bazuar në ligj, por ne nuk mund të bëjmë marrëveshje pa i pasur këto prova”.

Sa i përket krahasimit që u bë në seancën e së enjtes mes krerëve të UÇK-së dhe kriminelëve serbë ai thotë se nuk duhet të ketë krahasime të tilla.

“Nuk ka krahasim! Ata po mundohen të dokumentojnë se UÇK-ja ishte një organizatë sekrete. Nuk ishte organizatë sekrete, ishte organizatë e cila luftoi për çlirimin e shqiptarëve të Kosovës. Ashtu është dhe ashtu gjithmonë ishte”.

“Megjithatë, nëse e sheh aktakuzën, dhe nëse shikoni se çfarë kanë paraqitur, ata synojnë të thonë se UÇK-ja ishte një organizatë e përfshirë në aktivitete kriminale, e në fakt për çfarë ajo luftoi ishte çlirimi i shqiptarëve të Kosovës”.

Ndërkaq ka bërë thirrje tek institucionet e Kosovës që të kenë më shumë vëmendje për atë çfarë po ndodh këtu në Hagë.

“Absolutisht, sepse ky është një proces i Kosovës, dhe populli i Kosovës dëshiron të jetë i sigurt që ky proces të jetë i drejtë. Kjo gjykatë është në Hagë, megjithatë është gjykatë e Kosovës”.

Për çka po akuzohen Thaçi dhe të tjerët?

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Sipas aktakuzës fillestare, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.

Më 10 maj, Prokuroria e Specializuar ka paraqitur tri kategori ndryshimesh në aktakuzën ndaj Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas versionit të ndryshuar të aktakuzës, në fshatrat Budakovë dhe Semetishtë të Suharekës, dyshohet që ndërmjet 4 qershorit 1998 dhe shtatorit 1998, të paktën 12 persona janë ndaluar në qendra ndalimi.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se në fund në fund të qershorit dhe fillim të korrikut të vitit 1999,pjesëtarë të UÇK-së ndaluan “të paktën tre persona pa proces të rregullt ligjor në një seli të UÇK-së, të vendosur në ndërtesën e një ish-shkolle dhe konvikti në Gjilan”.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore