Lajme

Avokati i Thaçit kritikon punën e ZPS-së: Janë 100 dëshmitarë të cilëve s’ua dimë as emrat


Gregory Keohe

Avokati i Hashim Thaçit, Gregory Keohe, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është shprehur i shqetësuar me taktikat e Zyrës së Prokurorisë Speciale e cila sipas tij po zvarrit dorëzimin e dokumenteve të kërkuara nga ana e tyre.

Deri më tani sipas Keohe, trupi mbrojtës ka parashtruar kërkesë në ZPS për mbi 1 mijë dokumente, kërkesë e cila sipas tij nuk është përmbushur.

“Ne jemi shumë të shqetësuar me vonesën në dhënien e informacionit nuk e di nëse informacioni do të na mjaftojë kur ta marrim apo do të na dërgojë në tjetër drejtim”, ka thënë ai.

Ai ka ngritur si shqetësim edhe punën e dëshmitarëve që pritet të dëshmojnë në këtë proces e që sipas tij janë gati 100 dëshmitar që nuk ju dihen as emrat.

“Janë emra të redaktuar, pra ne kur të marrim këtë informacion ne do të kërkojmë edhe më tepër”, tha ai.

Keohe gjatë seancës ka potencuar se ZPS ka bashkëpunuar me shërbimin e fshehtë të Serbisë për të marrë materiale lidhur me të akuzuarit në Hagë.

“Siç thashë po merr prova materiale nga serbët që padyshim do ta cenojnë kredibilitetin e ZPS-së”, ka shtuar ai.

Ben Emmerson

I shqetësuar me punën e ZPS u shpreh edhe avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, i cili gjatë seancës theksoj se provat që gjenden në domenin publik konfirmojnë manipulimet e tyre nga ana e autoriteteve serbe.

”Ka shumë prova që gjenden në domenin publik dhe të gjithat konfirmojnë atë lloj manipulimesh të provave nga autoritetet serbe siç është zhvarrosja e varreve masive të viktimave në kufi me Serbinë ku është gjendur një kamion”, tha Emmerson.

Se Prokuroria është treguar shumë e ngathët në dhënien e provave e tha edhe Andrew Strong, avokat tjetër i Veselit.

Ai tha se forma me të cilën po punon Prokuroria, po e konsumon tërë kohën.

”16 muaj dhe këta janë në burg e ende nuk janë zbuluar të gjitha dokumentet vetëm 70 për qind dhe për 30 për qind te mbetura i bie që edhe 5 muaj duhen. Prandaj na duhet një afat. Ky është një proces që po konsumon kohën. Materialet që kemi marrë së fundi, janë të para 3 vjetëve. Dhe këtë nuk e kuptoj – mendojmë se diçka nuk po funksionon. Koha po shkon e na duhet një afat”, u shpreh Strong para të pranishmëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore