Lajme

Avokati i Posper: Thaçi do të shpallet i pafajshëm, Prokuroria po shton gjëra duke u munduar ta forcojë aktakuzën


Avokati i ekipit mbrojtës të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Pierre Richard Prosper, është i bindur se klienti i tij do të shpallet i pafajshëm dhe ka potencuar që nëse Prokuroria do të ishte gati do të kishte filluar gjykimi në Gjykatën Speciale.

“Thaçi dhe të tjerët, unë mund të flas për Thaçin, do të shpallet i pafajshëm. Prokuroria po shton gjëra, duke u munduar ta forcojë aktakuzën, por ne besojmë se jemi në pozicion të mirë”, tha Prosper në emisionin Rubikon në Klan Kosova.

“E vërteta të dalë në pah dhe kur e vërteta të dalë, do ta shohim se ky rast nuk duhet të ishte në këtë gjykatë dhe se zotëri Thaçi është i pafajshëm dhe do të shpallet i pafajshëm për këto akuza”.

Ai ka shtuar se nëse prokuroria do të kishte qenë gati, “ne do të kishim përparuar dhe do të ishim në pozitën që të shkojmë në gjykim dhe ky është një problem fundamental”, duke shtuar se “ne kemi individë që po mbahen për dy vjet pa e parë asnjë ditë në gjykatë, kjo nuk është e drejtë”.

Prosper ka shtuar se ekipi mbrojtës përballet me sfida në çdo hap të procesit, prandaj thekson se “jemi të frustruar nga ky proces dhe besojmë se është e rëndësishme që njerëzit të fillojnë të shohin se çfarë po ndodh këtu, sepse nga pikëpamja jonë, nga pikëpamja ime, kjo ka filluar ta humbë kredibilitetin”.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore