Lajme

Avokati i Popullit kërkon personel të përhershëm në Qendrën për Azilkërkues në Vranidoll


“Gjendja në Qendrën për Azilkërkues në Magurë është shumë më e favorshme sesa në Vranidoll”, është shkruar në Raportin e Institutit të Avokatit të Popullit në lidhje me vizitën e Mekanizmit Kombëtar për Parandalim të Torturës (MKPT).

Thuhet se kjo është si rezultat i mungesës së personelit të përhershëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Qendrën për Azilkërkues në Vranidoll.

“Personeli i MPB-së viziton qendrën në Vranidoll vetëm në raste të caktuara”.

Kjo gjendje vështirëson mirëfunksionimin e qendrës, por edhe të zyrtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët tash për tash kryejnë detyra të sigurisë në këto qendra.

Ndërsa, në Qendrën për Azilkërkues në Magurë, ku përveç personelit të përhershëm të MPB-së, janë të angazhuar përmes organizatave ndërkombëtare edhe zyrtarë për përkthim, punëtorja sociale dhe mjeku.

Në raportin me rekomandime, MKPT-ja u rekomandoi autoriteteve kompetente që të evitojnë mangësitë e vërejtura, siç është mungesa e personelit të nevojshëm për të garantuar mbarëvajtjen e punëve të përditshme.

Po ashtu i është rekomanduar Policisë së Kosovës që zyrtarët policorë të cilët kryejnë detyra të sigurisë në qendrat për azilkërkues të mbajnë protokolle të veçanta ku do të evidentojnë rastet e përdorimit të forcës apo rastet kur ndodhin incidente ndërmjet azilkërkuesve.

IAP viziton këto qendra në baza të rregullta për të parë se sa po respektohen të drejtat themelore të azilkërkuesve nga autoritetet e Republikës së Kosovës.

Përveç kësaj, MKPT-ja ka vërejtur komunikim shumë miqësor dhe interaktiv ndërmjet azilkërkuesve dhe zyrtarëve policorë dhe atyre të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

MKPT-ja po ashtu ka vërejtur se kushtet e akomodimit janë të një standardi shumë të mirë në kuptim të hapësirës për banim, ndriçimit, pastërtisë dhe ngrohjes.

MKPT-ja, pas vizitave të realizuara, konsideroi se kushtet e akomodimit në Qendrën për Azilkërkues në Mitrovicë dhe në atë të Vranidollit janë të pranueshme për akomodim të azilkërkuesve, edhe pse nuk janë të standardit të njëjtë si ato në Qendrën për Azilkërkues në Magurë.

Shërbimet shëndetësorë, si një nga të drejtat themelore, u ofrohen nga institucionet publike shëndetësore, ndërsa ato psikologjike nga organizatat Jo-Qeveritare vendore.

MKPT-ja ka vërejtur se azilkërkuesve tash për tash ndihma juridike falas u ofrohet nga organizata joqeveritare Civil Rights Program Kosovo (CRPK) dhe nga Agjencia për Ndihmë Juridike Falas.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore