Avokati i Gucatit në Speciale pretendon se dëshmitari i tretë po sajon rrëfime për rrjedhjen e dokumenteve

SHFLETO

Avokati i Hysni Gucatit në Gjykatën Speciale, Jonathan Elystan Rees

 

Dreni Himbeqa
04.11.2021 16:04
Loading Icons...

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, të enjten e katër nëntorit, dëshmitari i tretë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar Miro Jukiç, në rastin e gjykimit ndaj ish ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, ka thënë se pas rrjedhjes së dokumenteve ka kontaktuar dëshmitarët që sipas tij ishin të frikësuar.

Dëshmitari Jukiç, i cili punon në Zyrën e Prokurorit të Specializuar si udhëheqës i ekipit për sigurinë dhe trajtimin e dëshmitarëve, duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit të Gucatit, Jonathan Elystan Rees, ka treguar se pas secilës bisedë me dëshmitarët e ka përpiluar edhe notën zyrtare.

Por për të njëjtat janë gjetur mospërputhje në data dhe për këtë arsye, avokati Rees ka vënë në dyshim deklaratat e dëshmitarit duke thënë se ai po sajon rrëfime në mënyrë që të shpjegojë mospërputhjen me data.

I pyetur pse nuk janë regjistruar në sistem notat zyrtare menjëherë pasi kanë kontaktuar dëshmitarët, Jukiç ka thënë se disa i ka regjistruar më vonë për shkak se ka menduar që të njëjtat i ka vënë në sistem shefi i tij, e në disa raste ka shtuar se nuk ka mundur të dalë në zyrë për shkak të pandemisë.

Miro Jukiç, Dëshmitari i tretë në rastin Gucati-Haradinaj në Speciale

Dëshmitari i tretë në rastin Gucati-Haradinaj, një javë më parë, në ditën e parë të dëshmisë së tij, pati deklaruar se pas rrjedhjes së dokumenteve në shtator të vitit të kaluar, menjëherë ZPS-ja ka marrë parasysh të kontaktojë dëshmitarët e viktimat.

“Pas rrjedhjes së informacionit më 22 shtator, morëm vesh se cilat dokumente u bënë publike. Vendosëm të shikojmë listën, të shqyrtojmë dokumentet, të identifikojmë të gjitha emrat e përfshirë në këtë rrjedhje të informacionit. Kaluam emrat një nga një, i identifikuam dëshmitarët bashkëpunues e vendosëm të thërrisnim e të informonim ata për rrjedhjen”, është deklaruar Jukiç.

“Menduam se e kishim detyrim të informonim njerëzit që kanë dhënë deklarata e bashkëpunuar me ZPS-në. E kishim detyrim të informonim se emrat e tyre janë bërë publik”.

Ai ka thënë se në dokumente ka pasur emra të viktimave por edhe dëshmitarëve bashkëpunues duke shtuar se ata janë kontaktuar nëpërmjet numrave të telefonit.

Gjykimi ndaj Gucatit dhe Haradinajt në Gjykatën Speciale ka filluar me 7 tetor të këtij viti.

Gjykimi në fjalë është i dytë që ka filluar në Speciale, ku deri më tani kanë përfunduar dëshminë e tyre koordinatorja e hetimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës, Zdenka Pumper dhe ish-gazetari i Gazetës Infokus, Halil Berisha.

Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati në Gjykatën Speciale