Lajme

Avokati francez, kritika ndaj BE-së për posterin me imazhin e gruas myslimane


Një avokat francez ka hedhur kritika ndaj Bashkimit Evropian lidhur posterin për Konferencën për të Ardhmen e Evropës, ku shfaqet imazhi i një gruaje myslimane që mban veshur hixhab.

Këshilltari i kandidates së qendrës së djathtë për presidente të Francës, Thibault de Montbrial, tha se kjo zgjedhje për të ilustruar të ardhmen e kontinentit e la atë “pa fjalë”.

“Unë do të luftoj me të gjitha forcat për të shmangur një të ardhme të tillë për Evropën”, shkroi De Montbrial në Twitter të mërkurën e 9 shkurtit.

Hixhabi është një shami, të cilën e mbajnë kryesisht gratë myslimane. Shpesh, “hixhabi” ka qenë dhe mbetet pjesë e debateve në Francë.

Duke marrë parasysh reagimin e de Montbrial, korrespondentja e BE-së për gazetën “Financial Times”, Mehreen Khan tha se blloku “po akuzohej edhe një herë si një komplot klandestin islamist i drejtuar nga ‘Vëllazëria Myslimane’ sepse ka një grua myslimane në një poster”.

Khan ka kthyer vëmendjen edhe te vërejtjet e bëra nga korrespondenti evropian për gazetën franceze “Libération”, Jean Quatremer.

Ai ka ngritur pretendime se Komisioni Evropian ka “lidhje” të njohura me Vëllazërinë Myslimane.

“Por asgjë nuk ndryshon, sepse BE-ja është gjithnjë e më pak demokratike”, shkruan në Twitter Quatremer.

 

Khan bëri krahasime midis këtyre komenteve dhe fushatës së ashpër, kundër emigracionit, pro-Brexit të zhvilluar nga disa politikanë britanikë në 2016-ën.

 

“Për të gjithë ata që u ankuan për racizmin gjatë fushatës së Brexit Leave, në vitin 2022, me sa duket media serioze nga vendi më i madh i BE-së, e konsiderojnë Brukselin si një komplot të kalbur islamik, sepse ka gra me hixhabi në disa arkiva fotografish të BE-së”, shkroi ajo në Twitter.

Muajin e kaluar, Senati francez votoi në favor të ndalimit të hixhabit në garat sportive.

Një nga projektet historike të presidentit Emmanuel Macron ka qenë edhe miratimi i projekt-ligjit të ashtuquajturit “separatizëm”.

Ky vendim do të forcojë mbikëqyrjen e xhamive, shkollave dhe klubeve sportive në një përpjekje për të mbrojtur Francën nga “islamistët radikalë” dhe për të promovuar “respektimin për vlerat franceze”.

I njohur zyrtarisht si ligji që përforcon parimet e Republikës, Parisi thotë se legjislacioni i miratuar tashmë ligjërisht do të forcojë sistemin laik të Francës.

Kritikët argumentojnë se ajo i veçon në mënyrë të padrejtë myslimanët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore