Kosova

Avokati: “Deklarimi i Ministrit Sveçla për rastin e doganierit Luan Berisha është i dëmshëm dhe jo profesional”


Avokati i familjes Berisha, Flakron Sylejmani, ka reaguar pas deklaratës së Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, një ditë më parë në shesh të Prishtinës, kur Laura Berisha, motra e të doganierit të ndjerë, Luan Berisha kërkoi të di se çfarë po ndodhë me rastin e vëllai të sajë, të vrarë më 17 Prill.

“Pasi që motra e të ndjerit Luan Berisha kërkoi nga qeveritarët informacione për vrasjen e vëllait, Ministri Xhelal Sveçla, vetëm pasi ajo u largua i dha sqarim Kryeministrit Kurti duke i thënë se ‘Luan Berisha u vetëvra’”, shkruan avokati Sylejmani, për Albanian Post.

“Unë si avokat por edhe familja e të ndjerit Luan Berisha një deklarim të tillë e vlerësojmë të pa matur të dëmshëm dhe joprofesional”.

“Konsiderojmë se deklarimet e tilla publike të zyrtarëve shtetëror e në veçanti të Ministrit të Punëve të Brendshme, për rastet që janë ende në fazën e hetimeve nuk i kontribuojnë hetimit profesional dhe të pavarur si dhe zbulimit të veprave penale dhe kryesve të tyre”, ka vazhduar më tej avokati Sylejmani.

“Deklarimet e tilla vetëm sa e komplikojnë dhe e vështirësojnë një hetim të drejtë dhe të pa ndikuar, veçanërisht kur një Ministër merr guxim për të bërë kualifikimin ligjor të  një vepre”.

“Kjo është kompetencë ekskluzive e organit të akuzës, përkatësisht e prokurorit të rastit”, ka sqaruar avokati.

“Si përfaqësues i familjes ftoj të gjithë, pa dallim, që të përmbahen nga deklarimet lidhur me rastet të cilat janë në fazën e hetimeve për shkak të ndjeshmërisë qe këto raste kanë dhe për shkak të dëmit që mund t’i shkaktojnë familjarëve”.

“Po ashtu, ftojmë Prokurorin e Shtetit që të reagoj ndaj një deklarate të tillë dhe të mos lejoj që cilësia e hetimeve të ndikohet nga deklarimet politike të zyrtarëve shtetëror apo cilitdo person tjetër”, ka thënë avokati Flakron Sylejmani, për Albanian Post.

Luan Berisha, ish zyrtar i lartë në Doganën e Kosovës, i cili u gjet i vdekur me 17 prill në “oborr të Doganës”

“Ma kanë vrarë vëllain qe 6 muaj s’po më ktheni përgjigje”, qytetarja ndal në rrugë, Kurtin, Sveçlën e Konjufcën

“Sveçla nuk na ka kthyer përgjigje asnjëherë”, ka thënë motra e Ish-zyrtarit të larët doganor, Luan Berisha, i cili vdiq në rrethana të pazbardhura më 17 prill të këtij viti.

Vdekja e vëllaut të saj ajo thotë se ishte “vrasje në oborr të Doganës”.

Këtë gjë Laura Berisha ua tha në sy të gjithë kabinetit qeveritar të Qeverisë Kurti 2, dhe u shtroi pyetjen se “A jeni tu e luftu krimin qysh na keni premtu, apo jo?”.

Pyetjen, motra e ish-zyrtarit të ndjerë doganor, ia drejtoi Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçlës, i cili mbajti kokën poshtë, duke mos u përgjigjur.

Ajo në ngarkesë emocionale iu drejtua të gjithë ministrat e Qeverisë Kurti 2 se rasti i vëllaut të saj “është injoruar dhe se nuk e kemi asnjë përgjigje deri tash”.

“Kemi kërkuar takim. Na keni injoru. Nuk kemi kurgjë deri tash”, tha ajo.

Ndërsa Ministri i Financave, Hekuran Murati, u përgjigj në vend të shefit të punëve të brendshme, Sveçlës, të cilit ajo u drejtua personalisht.

Konjufca tha se “organet e rendit duhet të mirren me të gjitha këto” dhe se “janë duke u marrur”

Kryeministri Kurti qëndroi i heshtur, dhe hodhi shikimin kah Sveçla, i cili qëndroi në heshtje morti.

“Sveçla nuk ka na kthy përgjigje asnjëherë. Asnjëherë. Asnjëherë nuk na ka kthy përgjigje. Ju kemi votu për na e luftu krimin. Vëllau jem është vra në obor të doganës”, përsëriti motra e të ndjerit.

“Qe gjasht muaj na keni injoruar total”, tha Berisha.

Pas largimit të motrës së të ndjerit, nga ai takim në sheshet e kryeqytetit, pa i dhënë përgjigje, Ministri Sveçla i ka thënë shefit të tij, Albin Kurti, se bëhet fjalë për vetëvrasje.

“Është vetëvrasje, bëhet fjalë për vetëvrasje”.

“Po a?”, dëgjohet dikush nga pjesëmarrësit e këtij tubimi duke e konfirmuar atë që e tha Sveçla

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore