Shqipëria

Avokatët në Durrës bojkotojnë seancat gjyqësore, kërkojnë kushte më të mira pune


Në gjykatën e Durrësit, nga dita e sotme do të zhvillohen vetëm seancat për dhënien e masave të sigurisë.

Të gjitha seancat e tjera për çështje civile apo penale do të shtyhen për një afat tjetër, për shkak të bojkotit një javor, të vendosur nga Dhoma e Avokatisë Durrës.

Ndërkohë kanë nisur reagimet dhe tensionet nga ana e avokatëve, të cilët janë lënë jashtë dyerve të gjykatës, deri në nisje të seancave.

Mësohet se vendimi i Gjykatës së shkallës së Parë Durrës u është komunikuar verbalisht avokatëve dhe jo përmes një shkrese zyrtare.

Sakaq, afro 500 seanca gjyqësore të parashikuara për t’u zhvilluar, rrezikojnë të dështojnë.

Kjo pasi avokatët shprehen në unison me vendimin e marrë nga Dhoma sepse ndihen të diskriminuar.

Avokatët ravijëzojnë edhe një tjetër shqetësim, në lidhje me mbajtjen e seancave gjyqësore me dyer të mbyllura.

Avokatët argumentojnë se ky trajtim i tyre nga institucionet shtetërore i hap rrugën veprimeve të ngjashme me aktin e dhunës ndaj avokatit Sokol Mëngjesi ditë më parë.

Dhoma e Avokatëve Durrës ndërkohë, nëse gjatë këtyre ditëve Gjykata nuk do të ndryshojë qëndrim, paralajmëron përshkallëzimin e veprimeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore