Shqipëria

Avokatët e Malltezit thonë se nuk ka vepër penale pas vendimit të GJKKO-s


Fill pas përfundimit të seancës, avokatët e Jamarbër Malltezit kundërshtuan vendimin e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar duke deklaruar se nuk ka vepër penale.

“Nuk ka vepër penale. Nuk mundet të aludohet me anë të ligjeve dhe VKM-së që nuk janë kundërshtuar në kohë. Kemi qëndrim mohues ndaj akuzave”, theksoi njëri prej avokatëve.

Përfaqësuesi ligjor shtoi se nuk mund të akuzosh dike sepse është trashëgimtar i ligjshëm i një familjeje të mirënjohur.

“Për aq sa kemi parë të akuzosh dikë sepse është një trashëgimtar i ligjshëm i një familjeje të mirënjohur tiranase siç është Begeja, është shumë e guximshme”, vërejti ai.

Në përmbyllje, avokati nënvizoi se “standardi i provueshmërisë është i ulët” dhe se me këto aludime po “cenohet parimi i sigurisë juridike”.

Kujtojmë që, GJKKO-ja la në fuqi masën “arrest në burg” në përfundim të seancës ndaj dhëndrit të ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi.

Ndërsa për biznemesnin Fatmir Bektashi, gjykata caktoi masën “detyrim paraqitje”.

SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK) do të zbulonte përmes një njoftimi zyrtar detajet hetimore lidhur me privatizimin e ish-kompleksit të klubit Partizani.

Në mesin e të akuzuarve ishin ish-kryeministri Sali Berisha me veprimet e tij konkrete për të bërë që dhëndri i tij Jamarbër Malltezi të përfitonte nga kjo skemë e parregullt.

Më saktë, objekti i hetimit të këtij procedimi penal, sipas SPAK-ut, ishin veprimet e kryera nga funksionarë të lartë shtetërorë dhe persona të tjerë, për privatizimin e terreneve dhe objekteve sportive të “Klubit të Futbollit Partizani” dhe “Klubit Shumësportësh Partizani”.

Prokuroria e Posaçme dyshon se Berisha ka konsumuar veprën penale të ‘Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë’, e kryer në bashkëpunim me shtetasin Jamarbër Malltezi, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.

SPAK shton se Berisha në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, dyshohet se ka kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore.

Kjo, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtëpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte Jamarbër Malltezi.

Berisha, dyshohet madje se ka kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhërave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të Jamarbër Malltezit, vijon SPAK-u.

Sipas Prokurorisë, Berisha dyshohet se ka kryer po ashtu veprime aktive në vendosjen në dispozicion të Malltezit, të strukturave të ndryshme të administrates shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore.

Përfitimet e Malltezit

Malltezi, në cilësinë e bashkëshortit të vajzës së kryeministrit, ka përfituar materialisht nga privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, shkruan Prokuroria.

“Ndryshimet e kryera në lidhje me destinacionin e zonave nga sportive në të banimit, gjë që ka çuar në kryerje ndërtimesh, nga të cilat ka përfituar drejtëpërdrejtë shtetasi Jamarbër Malltezi”, saktëson SPAK.

Fitimet e Malltezit në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar tek kjo e fundit, llogariten në total në shumën 5 milionë e 420 mijë e 345 euro.

Malltezi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me shtetasin Sali Berisha, pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin e ish kryeministrit, për të marrë përfitimet e parregullta, theksoi SPAK.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë (GJKKO) ka vendosur të premten e 20 tetorit masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” për 16 pasuri të paluajtshme në pronësi të Malltezit.

Ndër të tjera, GJKKO-ja ka vendosur nën sekuestro preventive edhe gjashtë llogari bankare (në euro, dollarë dhe lek) në emër të tij, si dhe kuotat e kapitalit themeltar në shoqëritë “Homeplan” shpk (45 për qind e kuotave), “Magnet IMO” shpk (100 për qind e kuotave) dhe “Magnet Gym&Fi” (60 për qind e kuotave).

GJKKO

GJKKO-ja publikoi më herët vendimin për caktimin e masave ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi.

Për Malltezin, GJKKO-ja ka caktuar masën e sigurimit personal shtrëngues “arrest ne burg”.

Ai dyshohet për kryerjen e veprave petale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal.

Nga ana tjetër, Gjykata e Posaçme ka caktuar ndaj ish-kryeministrit masën e sigurimit personal shtrëngues “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Për Berishën, GJKKO-ja ka caktuar dhe “Ndalimin e daljes jashtë shtetit parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale”, si person nën hetim.

Ish-kryeministri dyshohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal”.

Për ndërtuesin Fatmir Bektashi, ortaku i Malltezit, është caktuar masa e sigurimit personal shtrëngues “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit parashikuar nga neni 233 IK.Pr.Penale”.

Ai dyshohet për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendore”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal.

Ndërtimi i ngjarjes

Strukturat e Posaçme Anti-Korrupsion duke përfshirë Prokurorinë (SPAK), Gjykatën (GJKKO) dhe Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH) u vunë në aksion të shtunën e 21 tetorit për të arrestuar dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi.

Ky aksion hetimor dhe policor ishte ndër më të bujshmit e strukturave të themeluara dhe të financuara nga autoritetet amerikane që prej krijimit të tyre.

Ndalimi i Malltezit në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” u ekzekutua nga agjentët e BKH-së pasi GJKKO-ja kishte caktuar masën “arrest me burg” të kërkuar më herët nga prokurorët e SPAK-ut, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai.

Pas disa orësh në komisariatin e Rinasit, Malltezi u shoqërua nga forcat e policisë në ambientet e bllokut të sigurimit në rrugën ‘Mine Peza” në Tiranë ku pritet të qëndrojë derisa të dalë para GJKKO-s për rivlerësim të masës së sigurisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore