Lajme

Avioni privat me 4 pasagjerë rrëzohet në brigjet e Letonisë


Një aeroplan privat Cessna u rrëzua në brigjet e Letonisë të dielën në mbrëmje, tha shërbimi i shpëtimit të Suedisë.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Reuters”.

Aeroplani Cessna 551 i regjistruar në Austri po fluturonte nga Jerez-i në Spanjën jugore, nga ku u ngrit në orën 12:56 GMT pa një destinacion të caktuar, sipas faqes së internetit FlightRadar24.

U kthye dy herë, në Paris dhe Koln, përpara se të nisej drejt e mbi Baltik, duke kaluar pranë ishullit suedez të Gotland-it.

Në orën 17:37 GMT, avioni po humbiste shpejtësi dhe lartësi.

“Ne kemi mësuar se avioni është rrëzuar (në oqean) në veri-perëndim të qytetit të Ventspils në Letoni”, tha një zëdhënës i shërbimit të shpëtimit të Suedisë. “Ai është zhdukur nga radari”.

Sipas botimit gjerman “Bild”, avioni kishte në bord një pilot, një burrë, një grua dhe vajzën e tyre.

Një helikopter i forcave ajrore lituaneze u dërgua në vendin e rrëzimit për kërkim dhe shpëtim.

Kjo, me kërkesë të Letonisë fqinje, tha një zëdhënës i forcave ajrore lituaneze.

Avionët luftarakë të NATO-s u ngritën më herët për të ndjekur aeroplanin, tha një zëdhënës i forcave ajrore lituaneze për Reuters.

Shërbimi suedez i shpëtimit tha se ata kishin raportuar se askush nuk ishte i dukshëm në kabinën e Cessna-s.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore