Lajme

Avioni i parë kinez i pasagjerëve ngrihet, por jo në Evropë dhe SHBA


Pas dhjetë vitesh punë, testime dhe 72.1 miliardë dollarë të investuara nga qeveria e Pekinit, avioni i parë komercial i projektuar dhe ndërtuar në Kinë u ngrit me pasagjerë në bord.

Zyrtarisht synon të minojë duopolin global të Airbus dhe Boeing, ndërsa jo-zyrtarisht synon t’i privojë dy gjigantët evropianë dhe amerikanë nga tregu më i pasur në 30 vitet e ardhshme: Azia.

Megjithatë, do të duhet të mbështetet në teknologjinë perëndimore dhe kjo, në vitet e ardhshme, mund të shkaktojë një përplasje industriale midis blloqeve.

C919 – një avion me një rresht me 164 ulëse për distanca të shkurtra dhe të mesme – u ngrit nga Shanghai në orën 10:33 të mëngjesit me destinacion Pekinin.

Fluturimi MU9191 i China Eastern Airlines mbante rreth 130 persona dhe u festua nga mediat lokale.

Është bërë nga Commercial Aviation Corporation of China (Comac) dhe është “frymëzuar” nga Airbus A320neo dhe nga konkurrenti direkt Boeing 737 Max 8, por kushton më pak.

Çmimi i listës parashikon 120 milionë dollarë për A320neo, 121.6 milionë dollarë për Boeing 737 Max dhe 99 milionë dollarë për C919.

Comac vlerëson se do të ndërtojë 150 njësi në vit dhe pak kohë më parë njoftoi se kishte marrë porosi dhe rezervime për rreth 1 mijë e 200 avionë.

Megjithatë, analistët perëndimorë kanë shprehur prej kohësh dyshime dhe skepticizëm rreth programit të Pekinit.

C919 aktualisht mund të fluturojë vetëm në Kinë, çka do të thotë se, ligjërisht, nuk mund të fluturojë as mbi hapësira të tjera ajrore.

Po ashtu autoritetet rregullatore në Evropë (EASA) dhe SHBA (FAA) nuk i japin lejen avionit në fushat e kompetencës.

C919 me 38.9 metra është më i gjatë se A320neo (37.5 metra) dhe më i shkurtër se Boeing 737 Max 8 (39.8), me një distancë prej 5 mijë e 600 kilometrash ai mbulon një distancë më të ulët se produktet e Evropës dhe SHBA-ve (6500 kilometra) dhe transporton edhe më pak pasagjerë në konfigurimin bazë: 158 kundrejt më shumë se 180 të Airbus dhe Boeing.

C919 ngrihet dhe funksionon falë teknologjisë perëndimore. Motorët Cfm Leap-1 janë prodhuar nga një konsorcium francezo-amerikan (Cfm International).

Sipas Qendrës për studime strategjike dhe ndërkombëtare, avioni mbështetet në 48 furnizues amerikanë, 26 evropianë, 6 aziatikë-paqësor dhe 14 furnizues kinezë.

Të gjithë komponentë kritikë që mund t’i bëjnë qeveritë perëndimore të vendosin kufizime në eksport.

Ndërkaq, problemi i vërtetë për Airbus dhe Boeing është tregu.

Nëse C919 vështirë se do të fluturojë mbi qiellin perëndimor në vitet e ardhshme, në një periudhë afatmesme do të kërkohet gjithnjë e më shumë nga linjat ajrore kineze, disa vende aziatike dhe afrikane të varura ekonomikisht nga Pekini.

Avioni i ri nuk është, për momentin, një kërcënim për duopolin, por tregu kinez është i destinuar të jetë më i madhi në botë.

Raportet nga Airbus dhe Boeing e konfirmojnë këtë: për prodhuesin evropian, nga tani deri në vitin 2041, vetëm Kina do të kërkojë 1 mijë e 341 avionë me një rresht, të cilëve duhet t’i shtohen 1 mijë e 649 nga Azia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore